Kupa e Botës po bëhet gati për fazën e 1/8, ku 16 skuadra janë ende në garë, ndërsa 16 të tjera janë kthyer në shtëpi. Për ekipet e eliminuara është krijuar edhe klasifikimi provizor, në bazë të rezultateve të regjistruara, ku spikat pozicionimi i Gjermanisë në vendin e 22-të.
Kjo është renditja më e dobët në histori për “pancerat” në fazën finale të Kupës së Botës, ku e mbyllën grupin me vetëm 3 pikë, pas fitores në frymën e fundit me Suedinë, ndërsa u mposhtën nga Meksika dhe Koreja e Jugut. Deri më tani, pozicionimi më i keq për Gjermaninë ishte vendi i dhjetë në Botërorin e vitit 1938, ndërsa në edicionet e viteve 1930 dhe 1950 kjo përfaqësuese nuk ka marrë pjesë.
Renditja provizore “Rusi 2018”
- Senegal
- Iran
- Koreja J.
- Peru
- Nigeri
- Gjermani
- Serbi
- Tunizi
- Poloni
- Arabia Saudite
- Marok
- Islandë
- Kosta Rikë
- Australi
- Egjipt
- Panama
Për herë të parë në histori, në renditje nuk ekzistojnë dy ose më tepër skuadra që ndajnë të njëjtin vend. Kjo edhe prej rregullave të reja “fair-play”, për sa i takon kartonëve të marrë. Kjo mënyrë e re e përllogaritjes ka bërë që Gjermania të klasifikohet përpara Serbisë, ndërsa në vendet e fundit, Islanda u favorizua përballë Kosta Rikës dhe Australisë.
Në anën tjetër, Botërori 2018 ishte një zhgënjim absolut për skuadrat afrikane. Senegali ishte skuadra e fundit, që vulosi dështimin. Përpara “luanëve” në shtëpi ishin kthyer edhe Nigeria, Egjipti, Tunizia dhe Maroku, duke bërë që në fazën me eliminim direkt të mos jetë asnjë skuadër e kontinentit afrikan, diçka që nuk ndodhte prej Botërorit 1986 në Meksikë.