Drita e Gjilanit ia ka dalë mbanë, edhe pse në shumë vështirësi, ndryshe nga sa mund të mendohej.
Në gjysmëfinalet e turit paraeliminator në Champions League kampionët e Kosovës kanë mundur 2-0 në shtesa kampionët andorras të FC Santa Kolomës.
Në kohën e rregullt nuk pati gola dhe Drita tregoi se është dobësuar ndjeshëm në sulm, pas largimeve në javët e fundit.
Asnjë përforcim në sulm dhe u pa qartë që goli do dilte me vuajtje ose fat.
Pjesa e parë pa Dritën superiore, por pak raste të mira për shënim, ndaj një rivali amator, por të vendosur mirë në fushë.
Në pjesën e dytë pak nga pak ritmi ra dhe frika nga humbja kaloi edhe Dritën, që gjithsesi ishte dominuese në fushë.
Nisën shtesat dhe aty Drita e ndau mendjen, nuk duhej shkuar te llotaria e penalltive.
Në minutën e 99-të Shabani u bë heroi i ndeshjes, me një supergol nga distanca. Që aty u bë e lehtë dhe në minutën e 108-të erdhi edhe goli i dytë, me penallti nga Gërbeshi.
Tani Drita shkon në finale, ku nëse fiton do të luajë në turin e parë në Champions League. Në teori është e lehtë, përballë do të jetë fituesi i çiftit La Fiorita e San Marinos kundër Linkoln Red Imps të Gjibraltarit. Miliona për klubin nga Gjilani, që po shkon drejt historisë.