Vazhdon vala e largimeve te Skënderbeu dhe ashtu si pritej, Xhejms Adeniji është shtuar në listën e lojtarëve që i thonë lamtumirë Korçës.
Sulmuesi i njohur nigerian është transferuar sot në Azerbajxhan, te nënkampionët e Gabalas, aty ku ka shkuar edhe Sabien Lilaj para pak ditësh. Të dy do të debutojnë në korrik, kur Gabala të luajë në Europa League kundër klubit nga Luksemburgu, FC Progres Niderkorn.
Klubi azer e ka prezantuar, duke firmosur një kontratë 3-vjeçare me 25-vjeçarin, ndërkohë që arkëton një shifër ende të padeklaruar Skënderbeu, sepse Adeniji ishte nën kontratë deri në fund të këtij viti.
Në këtë mënyrë, Xhejms largohet pas 6 vitesh në Shqipëri, ku e solli Bylisi. Pak kohë në Berat, sërish në Ballsh dhe në janar 2014 kalimi te Laçi ishte hapi i madh, sepse aty Xhejms u bë një yll dhe fitoi edhe kupën.
Në fillim të vitit 2016 erdhi transferimi te Skënderbeu, ku luajti 107 ndeshje dhe shënoi 33 gola në të gjitha kompeticionet, duke fituar kampionat e kupë në sezonin e fundit, përveç titullit e Superkupës në vitin 2016.