Flamurtari bëhet me trajner të ri, ose më saktë vijon aty ku e la, sepse Ardi Behari do të jetë trajneri për sezonin e ardhshëm.
Në fund të sezonit të shkuar Behari mori drejtimin në një moment mjaft delikat, pas largimit të Shpëtim Duros, duke drejtuar për disa javë, por me shumë siklete.
Një pezullim e la jashtë për shumë javë dhe i ndoqi ndeshjet nga tribuna, ndërkohë që ishte në rolin e trajnerit të përkohshëm, me një skuadër të stresuar nga mungesa e rezultateve. Gjithsesi, mbyllja e kampionatit në mesin e tabelës dhe pa rrezikuar ishte minimumi i mundshëm dhe tashmë Behari nis vërtet një projekt që do të varet shumë prej tij.
Është pjesë e klubit prej vitesh ka punuar në disa role, ka gjithë kualifikimin e nevojshëm dhe presidenti Sinan Idrizi ka vendosur t’ia besojë atij rindërtimin, mëson Sport Ekspres.
Deri tani janë konfirmuar Musta, Bushiç e Useini, me shumë gjasa do të konfirmohen edhe disa lojtarë të tjerë, duke nisur nga Sidibe e Kamara, ndaj baza e ekipit ekziston dhe nuk duhet revolucion total.
Behari njeh skuadrën, njeh tregun dhe njeh Vlorën, nëse Flamurtari më në fund gjen qetësi dhe le mënjanë gjithë problemet e së shkuarës, përfshirë borxhet që e lanë sërish jashtë Europës (nësd kualifikohej, sërish perjashtohej), atëherë gjërat mund të ecin në drejtimin e duhur.