Qe prej mbylljes së kampionatit Flamurtari kishte pasur vetëm largime dhe heshtje.
Megjithatë, sot klubi vlonjat ka dhënë një sinjal të fortë, duke rinovuar me dy lojtarë kyç të sezonit të shkuar, Emiliano Mustën dhe Meti Useinin.
Musta u bë i paprekshëm në të majtë të mbrojtjes, por është një lojtar më aftësi të shkëlqyera ofensive dhe kontributi i tij i madh është vlerësuar shumë në Vlorë. Ditët e fundit Musta kishte marrë ofertë serioze nga Kukësi dhe ishte pranë firmës, por Flamurtari ka vendosur të aktivizohet dhe e ka bindur, çka tregon se edhe këtë vit Flamurtari do të jetë konkurrues, të paktën në aspektin financiar.
Ndërkaq, Useini e kishte thënë gjithmonë që Flamurtarin e ka prioritet. Mesfushori luftarak ishte një zbulim në Vlorë, aq sa është bërë shumë i dashur për tifozët, ndaj klubi ia ka rinovuar kontratën edhe për një sezon.
Dy goditje të rëndësishme dhe është vetëm fillimi, ndërsa mbetet ende pezull çështja e trajnerit.