“Durim, te Luftëtari do të ketë prurje cilësore”

Gëzim Beqiri

Dyshja e re e stafit teknik të Luftëtarit, sllovenët Kostiç dhe Botonjiç, kanë përveshur mëngët në përgatitjen e skuadrës për një përfaqësim sa më dinjitoz në Ligën e Europës. Stafi i ri e ka nisur punën me dy seanca stërvitore në ditë dhe Luftëtari duket si një kantier ndërtimi. Ka një numër të lartë futbollistësh në stërvitje, pasi më janë shumë të rinj, të ardhur nga shkolla të ndryshme, që do të provohen nga trajneri Millosh Kostiç. Janë të rinj që shihen si lojtarë të perspektivës, gjithmonë nëse e kalojnë “klasën”.

SHTOHEN RADHËT – Me Luftëtarin në stërvitje janë bashkuar dje edhe Eri Lamcjca, Stivi Janku, David Bocaj dhe Kejdi Balla, të cilët ishin pjesë e ekipit edhe sezonin e fundit. Sakaq, mungonin Xhekson Ferreira dhe Ivan Jakovljeviç, ndërsa Eduart Rroca ishte i pranishëm vetëm fizikisht, sepse nuk u stërvit, ngaqë nuk është riaftësuar plotësisht. Braziliani Xhekson mësohet se do të jetë në Gjirokastër brenda së hënës, kurse Jakovljeviç, pas ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e djathtë, parashikohet të mungojë për më shumë se një muaj. Për Rrocën pritet të jetë plotësisht gati në ndeshjen e parë në Ligën e Europës.

ÇAVO – Drejtori sportiv i Luftëtarit, Vangjel Çavo, për ”Sport  Ekspres” është shprehur i sigurt se afrimet do të jenë cilësore dhe do ta forcojnë ndjeshëm ekipin: ”Lojtarët e rinj që kanë ardhur në provë do të testohen dhe më pas do të vendoset për të ardhmen e tyre. Qëllimi ynë është të shkojmë thuajse të kompletuar në fazën përgatitore, që ende nuk mund ta themi se ku do ta kryejmë. Do të ketë prurje të reja, natyrisht cilësore. Kjo nuk ka diskutim. Jemi në tratativa me disa lojtarë me kualitet, emrat e të cilëve shumë shpejt do të bëhen publikë. I rëndësishëm është formatimi i ekipit në kohën e duhur“, – ka thënë drejtori sportiv Çavo.

Java e ardhshme pritet të sjellë të reja në kampin bluzi, kryesisht në lidhje me përforcimet që priten në Gjirokastër dhe që me shumë gjasa do të vijnë nga jashtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *