Leonard Trebicka
Sukseset e Skënderbeut, përveç punës së mirë të drejtuesve dhe asaj që lojtarët kanë dhënë në fushë, kanë ardhur edhe për meritë të stafit teknik, me në krye trajnerin Ilir Daja. Ndihmësit e tij janë Ardian Mema, Ilir Bozhiqi dhe Gentjan Liçi. Të gjithë dinë ta bëjnë më së miri punë e tyre dhe të gjithë bashkë bëjnë që ekipi korçar të jetë mjaft i përgatitur në çdo aspekt.
Ish-kapiteni i Skënderbeut, Gentian Liçi, prej dy sezonesh është pjesë e stafit, ndërkohë që më parë ka drejtuar ekipin U-17. Tani Liçi flet si kampion dhe sezonin e fundit e vlerëson si më të suksesshmin: “E si të mos e quaj sezonin më të suksesshëm? Kemi bërë një rrugëtim që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë. Kaluam katër ture në Europa League, shkuam në fazën e grupeve dhe për pak sa nuk u kualifikuam. Fituam titullin kampion, duke kryesuar që në javën e parë deri në fund. Fituam Kupën e Shqipërisë. Fituam gjithçka që na doli përpara dhe sezoni i fundit ishte vërtet i jashtëzakonshëm. Në fund të fundit, ky Skënderbe është projektuar për suksese të tilla. Merita është e të gjithëve, që nga presidenti Ardjan Takaj dhe stafi i tij, stafi teknik, lojtarët dhe tifozët. Të gjithë bashkë ia dolëm të bëjmë një sezon të shkëlqyer. Trofetë e fituar nga Skënderbeu flasin vetë”, – thekson fillimisht Liçi.
CAS-I – Por çështja e ditës është vendimi që do të marrë CAS-i dhe që në fakt po mban në ankth një Korçë të tërë. Edhe për Liçin këto orë pritjeje janë të vështira, por ai ka besim se CAS-i do t’i japë të drejtë Skënderbeut: “Nuk po e presim vetëm ne përgjigjen e CAS-it. Po pret i gjithë qyteti i Korçës dhe jo vetëm. Madje, po pret e gjithë Shqipëria dhe tifozë edhe jashtë vendit, që e kanë mbështetur ekipin tonë. Jam i bindur se përgjigja do të jetë pozitive dhe Skënderbeu do të jetë skuadra që do të marrë pjesë në Champions League. Nuk ka asnjë shans, që drejtësia të mos vihet në vend. Skënderbeu është i pastër dhe edhe çështjen e dënimit 10-vjeçar nga UEFA kemi për ta fituar. Shpresoj që përgjigja pozitive të vijë që nesër (sot) dhe të fillojmë punën”.
E ARDHMJA – “Skënderbeu ka pasur që në fillimet e veta një projekt të madh dhe do të vazhdojë të jetë skuadra që do nderojë Shqipërinë në Europë. Kemi arritur atë që s’e ka kapur dot asnjë skuadër shqiptare, por shpresoj shumë se shumë shpejt këtë ekip do ta shikoni në grupet e Championsit. Nuk është çudi të ndodhë një gjë e tillë. Sot kemi mbështetje në gjithë Europën, e keni parë që edhe në stadiumet jashtë vendit ka pasur tifozë që na kanë mbështetur shumë”, – ka përfunduar Liçi.
MARRËDHËNIET – “Sigurisht që një pjesë e suksesit të Skënderbeut janë marrëdhëniet e shkëlqyera mes të gjithë faktorëve. Kemi një grup lojtarësh të shkëlqyer dhe shumë cilësorë, që shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Dihet që vit pas viti baza e lojtarëve ruhet, pastaj klubi ndërhyn në merkato për të afruar më të mirët. Po ashtu, edhe në staf marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Jemi një staf i shkëlqyer bashkë me Ard Memën dhe Ilir Bozhiqin dhe rregullatori kryesor është Ilir Daja. Shpresoj që kështu bashkë të jemi edhe për shumë vite të tjera.”
DEAN LIÇO – Liçi ka folur në fund edhe për djalin e tij, Deanin, i cili më 15 qershor niset për në Spanjë, ku ka firmosur me Leganes: “Shpresoj të jetë një lojtar, ashtu siç e cilësojnë tani si talent. E ka vetë në dorë të ardhmen. Do të bashkohet pas pak ditësh me Leganesin në Spanjë, sepse ka firmosur me këtë ekip. Shpresoj që të paktën fazën përgatitore ta zhvillojë me ekipin e të rriturve të Leganes. Jam pjesë e Skënderbeut dhe nuk mund ta ndihmoj nga ky moment. Besoj se nesër të bëhet dikush, sepse gjithçka e ka arritur vetë”, – k përfunduar Gentjan Liçi.