Gjermania luajti miqësoren e fundit para startit të Kupës së Botës dhe në Leverkuzen mundi 2-1 Arabinë Saudite. Një ndeshje shumë e lehtë në letër, që përfundoi ashtu si pritej për faktin se fituan kampionët e botës, por rezultati është paksa befasues.
Gjermanët dominuan, shënuan dy gola në pjesën e parë me Verner dhe një autogol, ndërsa Rojs dha një asist dhe u duk në formë.
Megjithatë, gabimet ishin të shumta dhe në minutën e 84-t Kedira dhuroi një penallti, që Ter Stegen e grushtoi, por Al-Jasim shënoi duke u treguar më i shpejtë se mbrojtësit gjermanë.
Në shtesë Gjermania ishte me fat, sepse Arabia Saudite humbi një rast të pabesueshëm në kundërsulm, por natyrisht mobilizimi i skuadrës së Lëvit nuk ishte në nivele maksimale, duke parë edhe gabimet e shumta para portës kundërshtare. Vjen fitorja e parë pas disa ndeshjesh jo të mira, por loja nuk ishte aty ku duhej dhe presioni mbi Lëvin po shtohet, pas debatit për lënien jashtë të Leroj Sanesë.