Një kompani ajrore nën bashkëpronësi me Turkish Airlines dhe një kompani të saporegjistruar në Vlorë me emrin MDN Investment, do të nisë punë së shpejti, pasi tashmë është marrë leja nga qeveria shqiptare. Kompania e re, me emrin Air Albania nuk është regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, por vendimi i qeverisë i 16 majit kërkonte përcaktimin e kuotave të pjesëmarrjes “brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit”. Qeveria kërkon gjithashtu që Albcontrol dhe kompania MDN Investment të kenë së paku 51% në kompaninë e re, duke lënë Turkish Airlines në minorancë.
Aksioner i vetëm i MDN Investment do të jetë administratori i përgjithshëm i flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili deklaron se synimi i kompanisë së re ishte nisja e fluturimeve brenda verës së këtij viti për destinacionet në kontinentin Europian dhe nisja e fluturimeve transatlantike brenda dhjetorit. Idrizi nuk ka aktivitete biznesi në Shqipëri, por ai ka aktivitete biznesi në Turqi dhe bashkëpunon me kompaninë Atlas Global. Kompania e fluturimeve ajrore shqiptare është një premtim i kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan. Vetë kompania Turkish Airlines konfirmoi interesin e saj në krijimin e kompanisë shqiptare në një intervistë të drejtorit ekzekutiv Bilal Ekshi ditën e mërkurë.
Ky lajm konfirmon lidhjen e fortë të Idrizit dhe kompanive turke me Vlorën, sepse në planet e kompanisë së re është fluturimi nga aeroporti i Vlorës, që do të jetë gati në të ardhmen.