Peter Pakult është i Superiores, për fatin tonë të mirë, ndrysa në Austri, por edhe në Gjermani, kujtohen shpesh për të, një legjendë si futbollist, por edhe trajner me CV të rëndësishme, i cili asnjëherë nuk i ka refuzuar sfidat e rrezikshme, siç ishte edhe Kukësi. Imagjinoni, një yll i futbollit austriak dhe një trajner me emër që zgjedh Shqipërinë e vogël, Kukësin e panjohur. Pakult e ka treguar se nuk druhet, ka shkuar më parë edhe në vende të tjera në Ballkan, ka bërë sherr me presidentë e kë t’i dalë përpara, sepse është shumë ndryshe nga ne, por ka mësuar të përshtatet, duke mos i shkelur parimet e tij.
“Sportbuzzer.de” ka publikuar një intervistë të gjatë me Pakult, duke u ndalur te karriera e tij në Shqipëri, por edhe tema të tjera, nga futbolli austriak e ai gjerman.
“Vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta. Mund të shkoja te Hajduku i Splitit në vitin 2015, por kisha një marrëveshje me klubin e shtëpisë sime në Floridsdorf. Skuadra rrezikonte rënien nga divizioni i dytë, por bëra një zgjedhje zemre. Meqë ra fjala, mbijetuam”, tregon Pakult, i cili e pranon se ishte një zgjedhje e gabuar: “Kisha një detyrim moral, por në termat e karrierës ishte një gabim”.
Më pas erdhën aventura të pakëndshme te Zavërç në Slloveni, Cibalia në Kroaci e Radniçki Nish në Serbi: “Të pakëndshme është e thënë në mënyrë elegante. Nuk dua të flas shumë për atë periudhë, por kam mësuar shumë gjëra dhe e kam paguar, edhe në kuptimin e parë të fjalës, sepse pagesat ishin problem i madh”.
Pastaj erdhi kalimi te Kukësi: “Ishte një moment shumë i keq, edhe fizikisht nuk isha në rregull, por në janar firmosa në Shqipëri. Deri në ditën që nisa punë, humba disa kilogramë. Nuk mund të dalësh para skuadrës me barkun te goja. Tani ndihem mirë, vrapoj, jam aktiv edhe në stërvitje. Tani jam i lumtur, po ecim mirë, puna është e këndshme, vlerësohemi nga drejtuesit dhe nga media. Tani synojmë të shkojmë larg në Champions League”.
Gjici ëndërron grupet: “Edhe ëndrrat janë të lejuara. I mendojmë të gjitha, edhe nëse shkojmë në grupet e Europa League do të ishte një arritje spektakolare. Ndeshjet ndërkombëtare do t’i luajmë në Shkodër, Mali i Zi është një hap larg. Stadiumi aty është rinovuar para 4 vitesh dhe kombëtarja i luan aty ndeshjet shtëpiake. Natyrisht, jetojmë e stërvitemi në Tiranë, ndeshjet e kampionatit i luajmë në Kukës dhe për Europën shkojmë në Shkodër: nuk janë kushte optimale, por mundohemi të bëjmë maksimumin”.
Pak ekzagjerim nga Pakulti kur vjen puna te buxhetet e klubeve tona: “Ka klube me 5 milionë euro buxhet”.
Gjithsesi, Pakult tregohet realist për nivelin e futbollit tonë: “Nuk dua ta krahasoj Bundesligën gjermane me kampionatin shqiptar. Skënderbeu eliminoi Dinamon e Zagrebit vitin e shkuar dhe shkoi në grupet e Europa League, kjo tregon që ka edhe klube shumë cilësore. Jo rastësisht, lojtarët shqiptarë po nisin të transferohen nga kampionati vendas në kampionate më të rëndësishëm nëpër Europë”.
Loja e preferuar e Pakultit: “Futboll i bazuar te zotërimi i topit. Lojë ofensive, e shpejtë dhe sa më tërheqëse të jetë e mundur. Nëse e ke topin në zotërim, kundërshtari nuk shënon dot gol. Futbolli është i lehtë, unë nuk jam nga trajnerët që e ndryshojnë stilin e lojës edhe brenda një ndeshjeje”.