Elton Nika
Skuadra e sezonit të ardhshëm, përforcimi i saj dhe objektivat e Flamurtarit ishin temat e një diskutimi mes administratorit të klubit vlonjat, Sinan Idrizit, dhe gjithë stafit të tij, të përbërë nga ish-futbollistë të njohur, si Vasil Ruci, Edmond Liçaj, Ardi Behari që e mbylli sezonin në pozicionin e trajnerit, drejtori sportiv Vangjel Laluci dhe Ardi Ciruna. Takimi është zhvilluar dje në ambientet e klubit kuqezi dhe kishte si qëllim që të hidhen piketat e Flamurtarit të sezonit të ardhshëm. Pa dyshim, në qendër të diskutimit ka qenë emërimi i trajnerit të ri të vlonjatëve, por është folur edhe disa lojtarë, të cilët mund të afrohen gjatë merkatos së verës.
TRAJNERI – Administratori Sinan Idrizi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të nxitohet gjatë kësaj periudhe, sepse synon që të kryhet një punë e mirë dhe të ndërtohet një skuadër, që të jetë në gjendje luftojë për objektiva madhorë sezonin e ardhshëm. Për trajnerin e ri ai ka pohuar se nuk ka ende asnjë marrëveshje dhe se zgjidhja mund të vijë edhe brenda familjes, duke lënë të kuptohet se mund të vazhdojë Ardi Behari. Pas takimit të djeshëm të punës mes drejtuesve vlonjatë ka pasur diskutime për këtë çështje, që është më e rëndësishmja, por nuk është arritur në një konkluzion dhe gjithçka mbetet e hapur.
AFRIMET – Në fokus mbeten edhe përforcimet, pra lojtarët që i duhen Flamurtarit për të qenë kompetitiv sezonin e ri. Në takim është folur për emra të përveçëm, kuptohet, por këta emra nuk janë bërë të ditur për mediet. Në Vlorë duan më shumë garanci nga grupi i lojtarëve, që të zhvillohet një sezon ndryshe nga ai që u mbyll në muajin maj. Për momentin, lojtarët që kërkohen janë vetëm dëshira, sepse nuk ka diçka konkrete. Pozitiv është fakti që në Vlorë po punohet, pavarësisht se me ritëm të ulët. E gjitha kjo vjen nga fakti se grupi i lojtarëve është dhe pritet që me Flamurtarin të rinovojnë një pjesë e mirë e titullarëve. Me emërimin e trajnerit të ri, që duket se do të marrë edhe pak kohë, do të jetë më e qartë edhe e ardhmja e lojtarëve të sezonit të shkuar, si dhe e afrimeve të merkatos së verës.
MAQEDONI-KOSOVË – Tregu kosovar dhe ai maqedonas mbeten në fokusin e drejtuesve të Flamurtarit, pasi përforcimet duket se po i kërkojnë pikërisht në dy kampionatet fqinje. Po kërkohen disa elementë cilësorë dhe deri tani janë përmendur vetëm emrat e mesfushorëve Armend Alimi dhe Argjend Gafuri, I pari është pjesë e Shkëndijës së Tetovës, kurse i dyti erdhi në janar në Vlorë dhe më pas u huazua në Mqedoni. Por nuk janë vetëm këta dy emra për Flamurtarin e sezonit tjetër, pasi po vëzhgohen edhe futbollistë të tjerë. Natyrisht, vendimet për këtë pjesë do t’i takojnë trajnerit të ri, por kuptohet që një punë paraprake duhet bërë që tani.