Panuçi: Nuk është katastrofë, në shtator kompletohemi

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, nuk foli dje pas ndeshjes, pasi e kontestuan tifozët në një konferencë për shtyp të improvizuar, aq sa trajneri italian kritikon edhe Federatën Shqiptare t Futbollit. Megjithatë, më i qetë, pas mesnate, Panuçi ka folur për humbjen ndaj Ukrainës dhe për gjithçka lidhet me kombëtaren, duke u dhënë përgjigje shumë pyetjeve, pasi nuk do të vijë në Shqipëri për konferencë për shtyp.

Skuadra nuk funksionon, nuk arrin të ndezë zjarrin. Çfarë nuk shkon?

Zjarri është fikur, por nuk ka asgjë kaq të rëndë, kaq katastrofike, siç duan te duket. Kemi bërë dy ndeshje shumë negative, pasi skuadrës i kishte mbaruar benzina. Kishim shumë vështirësi, sepse nuk jemi Brazili, Franca, jemi pa Bashën, Xhakën, Memushajn, Grezdën, Sadikun, Mavraj nuk luan prej 5 muajsh, Memolla po ashtu. Ukraina kishte gjithë lojtarët e Shahtarit dhe Dinamo Kievit, kishte cilësi  tjetër nga jona. Në këtë moment, nëse nuk rikuperojmë gjithë lojtarët e rëndësishëm, vuajmë, por jam i bindur se kur t’i kemi ata që fituan në Turqi, ata që bënë ndeshjen me Italinë, ata që gjuajtën 15 herë portën me Spanjën, do te jemi kompetitivë. Kjo Kombëtare e dy ndeshjeve te fundit  nuk ishte kompetitive.

Pse duhet të besojmë se gjërat do përmirësohen?

Sepse skuadra gjithmonë ka bërë mirë, sepse në fund të sezonit lojtarët ishin shumë të lodhur, kishin bërë 15 ditë pushim pastaj erdhën në kombëtare. Mua nuk më pëlqen të gjej justifikime, por bateritë ishin të shkarkuara, mungonin shumë lojtarë, ndaj jam i zhgënjyer , i trishtuar si gjithë shqiptarët, por nuk është e mundur që skuadra që fitoi në Turqi të jetë kjo, kjo ishte krejt ndryshe, kishte shume të rinj , ishte e drejte të provoheshin, të rrezikonim, për të parë nëse dikush mund  të ishte gati për kombëtaren. Besoj se në shtator skuadra, duke rikuperuar gjithë lojtarët, do të kthehet kompetitive.

Tre ndeshje, 8 gola të pësuar, 1 i shënuar. Si mund të dalim nga kjo situatë kaq negative?

Faza mbrojtëse sigurisht që nuk funksionuar si duhet, pasi Mavraj është një lojtar i rëndësishëm, por në 5 muajt e fundit nuk ka luajtur. Në mesfushe kemi humbur lojtarë të rëndësishëm, ndaj ishim skuadër mjaft e brishtë dhe unë jam i pari që e di, por jam i bindur se kur të vijnë ndeshjet kualifikuese të Europianit dhe te rikuperohen lojtarët, do të bëjmë shumë mirë.

Plani ishte për një skuadër sulmuese, por me sa duket nuk kemi shans për të qenë një skuadër e tillë.

Nuk kishim forcën, këmbët,nuk kishim kokën për të sulmuar, edhe me Ukrainën zgjatëm 20 -25 minuta, pastaj black out total pas golit të parë, ndaj duhet pranuar, duke shpresuar të rikuperojmë gjithë lojtaret. Mua më pëlqen kritika, por ajo e drejta, ajo e ekuilibruar, ajo qe vlerëson gjithë situatat. Patëm dy ndeshje negative, por ne nuk kemi 60 lojtarë. Kur na mungojnë 5 apo 6 lojtarë, bëhemi një skuadër shumë pak kompetitive, ky është realiteti.

A besoni ende se kjo skuadër mund të luajë futboll sulmues?

Absolutisht po, pasi besoj se është e drejtë që mund të luajmë kur të rikuperojmë Grezdën, kur Roshi të jetë më mirë, kur Sadiku të jetë mirë, kur Manaj të jetë mirë. Megjithatë, në këto dy ndeshje nuk ishte çështje taktike, ishte problemi se koka dhe këmbët nuk ishin.

A ndihesh i trishtuar?

Më vjen keq, pasi kemi humbur. Tani duhet të presim dy muaj për ndeshjet e tjera, por jam i bindur se kur jemi të gjithë bashkë kemi një skuadër shumë të mirë, që mund të provojë të shkojë në Europian.

A ju kuptojnë lojtarët, a ju përgjigjen?

Në këto dy ndeshjet e fundit ishte e vështirë, pasi ishin me pushime dhe për mua ishte e vështirë të ndizja dritën e lojtarëve, madje nuk ia dola, pasi kishin mbaruar benzinën, por jam i bindur se skuadra më ndjek dhe në shtator do te jetë krejtësisht ndryshe.

Keni thënë që skuadra ka potencial, por nuk po duket gjëkundi. Çfarë po ndodh?

Nuk besoj se nuk po shihet. Ne nuk kishim gjysmën e skuadrës titullare, i përmenda emrat. Në fushën ndërkombëtare probleme të tilla i paguan.

Mbrojtja duket se ka shumë probleme.

E vërtetë, në këtë moment kemi shume probleme, pasi kemi shumë pak zëvendësime. Ajeti nuk luan te Krotone, Veseli në një muaj ka bërë një ndeshje, Mavraj ka 5 muaj që nuk luan. Kemi probleme, por shpresa është qe Mavraj te kthehet shpejt në skuadër ose të gjejë ekip të ri dhe duke qenë i rëndësishëm, kemi nevojë që ai të luajë rregullisht.

A ndihesh i rrezikuar?

Jo, absolutisht jo për momentin, pasi e dimë dhe kemi ekuilibrin për të kuptuar se gjërat në nëntor shkonin mirë, me Norvegjinë ishim në ndeshje, pastaj nëse mendojmë se duhet t’i fitojmë të gjitha gabojmë. Nëse jemi të gjithë, mund të përballemi me këdo. Mund të fitojmë ose humbim, por jam i bindur me punën time.

Si mund të humbim 4-1, pa marrë asnjë karton të verdhë?

Këtë ua thashë edhe djemve në dhomat e zhveshjes, patëm shumë pak egërsi e agresivitet, sepse nuk kishte forcë nga ana e lojtarëve. Luajtëm më mirë, në thonjëza, me Ukrainën sesa me Kosovën dhe Ukraina është më e fortë se Kosova, ndaj kjo të bën të kuptosh shumë gjëra.

Gjithsesi, diçka i mungon kësaj skuadre.

I mungonin 7 lojtarë.

Jo sot.

Po në Turqi, ishim fenomenë? Ishim një skuadër e madhe, që luante futboll dhe zbaviste, ndërsa tani duke munguar 7 lojtarë mungon gjithçka?

Pas Kosovës thatë që mungoi zjarri, sot lojtarët ishin më mirë fizikisht.

Në gjysmë orën e parë ishim më mirë se me Kosovën, por me vështirësinë e pare nuk mundem te reagonim, por ky nuk është një moment i veçantë i sezonit.

Dështuan eksperimentet në të majtë të mbrojtjes, mendon se duhet të rikthehet Agolli?

Agolli është 37 vjeç dhe në perspektivë nuk na ndihmon dot, ndaj duhet të gjejmë një tjetër zgjidhje.

Pse nuk grumbullohet Sadiku, i cili ka luajtur më pak se Cikalleshi dhe kishte nevojë të luante?

Në 4 muajt e fundit Cikalleshi ka luajtur më shumë se Sadiku dhe ishte e drejte të grumbulloja kush ka më shume minuta, por në të ardhmen nëse do të luajë do jetë në fushë.

Tifozët u janë kthyer kundër, si e sheh të ardhmen?

Unë e bëj punën time me seriozitet, i bindur se kam një skuadër të mirë, duke shpresuar të bëj një punë të mirë.

I qëndron deklaratës që të gjithë duhet të kenë më shumë respekt për kombëtaren dhe lojtarët?

Po, por nuk i shikoj këto gjëra, unë shikoj punën time,  kur fiton je i zoti, kur humbet është e qartë që ka shumë kritika. Unë përpiqem të jem i ekuilibruar, te kuptoj momentin, të kuptoj arsyet e këtyre disfatave, të di se kjo nuk është Shqipëria ime, nuk është skuadra ime, sepse mund të humbasësh, por jo pa luftuar, dhe jam i bindur  se në të ardhmen do rigjej Shqipërinë time. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të punoj në heshtje dhe të rikuperoj lojtarët.

Një koment për episodin e ndërprerjes së intervistës pas ndeshjes, kur tifozët po kontestonin.

Ishte një konferencë për shtyp e organizuar keq, pasi u bë aty para ku ishin gjithë tifozët, qe me të drejtë ishin të nxehur me mua, profesionalisht edhe federata gaboi, pasi nuk duhet ta dërgonin teknikun aty dhe duke qenë se nuk ishin kushtet për të vazhduar intervistën, u largova.

Puna vazhdon, me vëzhgim lojtarësh nëpër Europë?

Duhet të shoh ende 2-3 lojtarë. Në shtator grupi duhet të jetë formuar dhe vetëm ata 2-3 lojtarë janë diferenca. Kam bërë shumë eksperimente, kam parë shumë lojtarë të rinj dhe kemi kuptuar shumë gjëra. Shpresojmë të rikuperojmë gjithë lojtarët dhe prej shtatorit bëhet gjithçka serioze.

Të bezdisin reagimet e forta nga Shqipëria?

I kuptoj, le të flasin, pasi është e drejte kur je trajner i kombëtares që të kritikohesh. Unë jam një person i ndershëm, që punon me seriozitet dhe do më të mirën e Shqipërisë, dhe do vazhdoj ta bëj këtë, pasi presidenti më jep besim. Deri në nëntor flitej për një Shqipëri në sulm, që dinte të ndryshonte, ndaj duhet ekuilibër, të besosh në punën tënde dhe  t’i bësh gjerat me seriozitet, por kur shkon në luftë duhet t’i kesh gjithë luftëtarët dhe në këto dy ndeshjet e fundit luftëtarët nuk i pata.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *