Administratori i klubit korçar, Gerhard Takaj, thekson se Skënderbeu do të jetë në Champions: Edhe rivalët mund të jenë treguar dashakeqë
Leonard Trebicka
Koha për vendimin e parë të CAS-it, nëse Skënderbeun luan apo jo në Champions, po limitohet dhe në Korçë presin të mësojnë vendimin zyrtar. Por administratori i klubit, Gerhard Takaj, ka besim të plotë se vendimi do të jetë pozitiv. Në një intervistë për Sport Ekspres, ai thekson se akuzat janë të padrejta dhe se UEFA ka dashur të promovojë një sistem të saj me dënimin që i ka dhënë Skënderbeut, duke e bërë atë kokë turku, pasi nuk ka asnjë provë. Takaj pohon se edhe rivalët mund të jenë treguar dashakeqë ndaj Skënderbeut, por ai shpreh bindjen se gjithçka do të shkojë në vendin e vet.
– Gerhard, sapo ka përfunduar një sezon shumë i suksesshëm për Skënderbeun, me dy trofe të fituar. Cili është komenti juaj?
– Flasin vetë trofetë, nuk ka nevojë për shumë komente. Ne e kemi treguar kush jemi, por për të plotësuar gjithçka duhet edhe Superkupa.
– Ju kaluat nga pozicioni i menaxherit në atë të administratorit të klubit. Si ju është dukur ky ndryshim?
– Po, ky është viti im i parë në rolin e administratorit. Gjithmonë jam afër klubit dhe këtë sezon i kërkuam me ngulm të dy trofetë, sidomos Kupën e Shqipërisë, që e fituam për herë të parë. Ekipi kishte dëshirë të madhe t’i realizonte këto dy objektiva dhe ja ku i realizoi.
– Sa ka vuajtur Skënderbeu këtë sezon, pas dënimit nga UEFA?
– Ishte vërtet një dënim i rëndë, që ndikoi në anën psikologjike dhe e kemi përjetuar të gjithë. Tensioni ka qenë i madh, si te stafi, edhe te lojtarët. Pati ndikimet e veta, por fatmirësisht nuk na penalizoi. E administruam më së miri situatën. Kishim besim se skuadra do të gjente forcë. Të gjithë, ne drejtuesit dhe lojtarët, e dimë se jemi të pastër dhe ky dënim nuk është aspak i drejtë, ashti si dhe përpara dy vitesh, si për pezullimin, edhe për titullin.
– Çfarë note do tu vinit futbollistëve dhe trajnerit Ilir Daja?
– Të gjithë meritojnë notën 10, pa përjashtim. E administruan më së miri situatën edhe kur morëm goditjen e madhe nga UEFA. Nuk harruam në asnjë moment se çdo të thotë të jesh kampion dhe vepruam deri në fund si të tillë.
– Keni festuar si të çmendur mbrëmjen e titullit kampion…
– Çdo trofe ka bukurinë e vet dhe me trofe nuk ngopesh kurrë. Tani presim të fitojmë betejën e madhe, atë me UEFA-n.
– Për të kaluar te vendimi që do të japë CAS-i për Skënderbeun, do të luajë apo jo në Champions. Çfarë prisni ju si drejtues?
– Mendoj se është punë ditësh ky vendim dhe do ta marrim përgjigje pozitive, për këtë ju garantoj. Skënderbeu është totalisht i pastër nga çdo akuzë e UEFA-s. Në CAS do të shikojnë se nuk ka asnjë provë, por le të presim vendimin zyrtar.
– Keni marrë garanci nga avokatët, që besoni verbërisht për një vendim pozitiv?
– Nuk mjafton vetëm garancia që kemi marrë nga avokatët, pasi bindja vjen nga fakti që ky klub është i pastër dhe shembull për klubet e tjera të Superligës. Arritjet tona dihen.
– Sipas presidentit Takaj, vendimi përfundimtar nga CAS-i do kohë, ndoshta deri në tetor. Çfarë do të ndodhë deri atëherë?
– Nuk është punë kohe, por sipas procedurës, deri në muajin tetor duhet të kemi edhe përgjigjen përfundimtare nga CAS-i.
– Gerhard, flitet shumë për shkopinj nën rrota për Skënderbeun. Kush mendoni se ua ka bërë të keqen, apo UEFA e ka vëzhguar hap pas hapi skuadrën tuaj?
– Dashakeqë mund të jenë edhe rivalët tanë. UEFA nuk ka ndjekur asgjë nga afër, pasi nuk do të fajësonte për mendimin tim njerëz si Ilir Vrenozi, apo edhe të tjerë. Këtu bëhet fjalë për promovimin e një sistemi, që nuk ka dhënë asnjë rezultat në 10 vitet e fundit. Për të bërë këtë promovim, UEFA zgjodhi Skënderbeun si “kokë turku”.
– A do të luajë Skënderbeu në Champions, sepse aktualisht figuron Kukësi në vazon e parë të shortit?
– Nëse luajmë apo jo, e vendos CAS-i. Prisni edhe pak orë.
– Kalojmë te merkatoja e verës. Do të kemi ndonjë emër të ri?
– Merkatoja vazhdon rregullisht, me rinovime dhe afrime të reja, por duroni edhe disa ditë të tjera.
– Po nëse nuk luani në Champions?
– Të gjithë çështjet e tjera do të vendosen pasi të dalë vendimi i CAS-it dhe ne jemi të përqendruar aty.
– Fliten se shumë lojtarë do të shiten nga Skënderbeu. Si qëndron e vërteta?
– Çdo ofertë e mirë ndaj lojtarëve tanë shqyrtohet dhe vendoset më pas nga drejtuesit e klubit. Sigurisht që dëshira jonë është të shesim futbollistë, por gjithçka bëhet në kohën e duhur. Në fund të fundit, futbolli është biznes.
– Lilaj dhe Gavazaj janë dy emrat më të përfolur…
– Nuk janë vetëm këta lojtarë të Skënderbeut, të cilët kërkohen. Ka edhe të tjerë, por nuk është momenti të flasim për këtë temë tani.
– Po për Orges Shehin, keni ndonjë koment. Do të vazhdojë edhe në Europë?
– Për Orges Shehin e kam thënë edhe më parë se do të jetë gjithmonë pjesë e klubit tonë, si lojtar apo edhe si pjesëtar i stafit. Këtë do ta tregojë koha.
– Opinioni juaj për Skënderbeun e ardhshëm?
– Skënderbeu i ardhshëm do të jetë ky që jeni mësuar të shikoni të gjithë. Ne besojmë shumë në drejtësinë e CAS-it dhe punojmë për ta përmirësuar çdo vit e më shumë Skënderbeun.