Bari i Migjen Bashës del nga gara për ngjitje në Serinë A dhe e bën në mënyrën më të pabesueshme, duke u eliminuar me një barazim që normalisht do të mjaftonte për të shkuar në gjysmëfinale. Një çorbë e gatuar nga vetë klubi puljez, që dënoi veten, lojtarët dhe tifozët.
Si është e mundur? E thjeshtë, gjithcka për shkak të vonesave të klubit në pagesat e taksave dhe sigurimeve shoqërore tw futbollistëve. Histori e muajve të parë të vitit, por në një vend normal nuk ka shkelje ligji dhe në Itali ka ikur koha kur klubet i vononin pagat dhe taksat për muaj të tërë pa asnjë pasojë.
Në javët e fundit nisi hetimi ndaj Barit dhe Disiplina në Federatën Italiane vendosi: 2 pikë penalizim për Barin. Mes hetimit, mbledhjes e apelit, faza play-off u shty për në qershor, pasi Bari për ato 2 pikë kaloi nga pritës, në udhëtues ndaj Çitadelës. Jo thjesht një ndeshje jashtë fushe, por edhe detyrim për të fituar, sepse Çitadela krejt papritur mori avantazhin e kualifikimit në rast barazimi në 120 minuta, për renditje më të mirë se Bari.
Ndryshim fatal për Barin, që sot në Çitadela u ndal te barazimi 2-2. Shënoi Bari i pari, e përmbysi Çitadela, barazoi Bari në fund. Asnjë gol në shtesë, ku Bari mori edhe 2 kartonë të kuq.
Në fund, festë për Çitadelan që tashmë do të sfidojë Frozinonen dhe zi për Barin, që digjet për fajin e vet.