Pushim prej 25 shkurtit, për një dëmtim serioz në këmbë, shumë fjalë e mesazhe në rrjete sociale, shumë stërvitje në muajin e fundit dhe tashmë kthimi në fushë: Nejmari nuk flet më, tashmë luan futboll dhe e bën si di ai.
Sot Brazili mundi Kroacinë 2-0, në një miqësore pa vlerë për rezultatin, por me shumë vlerë për faktin se në pjesën e dytë u fut Nejmari dhe në minutën e 69-të shënoi një gol spektakolar.
Brazili ka rigjetur yllin e vet dhe shpresën e madhe për të fituar Botërorin, por nuk është vetëm Nejmari, sepse në fund shënoi edhe Firmino, sulmuesi i shkëlqyer i Liverpulit, i cili shënoi në shtëpinë e vet, në Anfield, duke marrë duartrokitje të zjarrta.
I gjithë Brazili funksionon si orë zvicerane, sot ishte një skuadër e bukur për t’u parë dhe shumë e qartë faktikisht, ndaj “Seleccao” është kthyer e frikshme.