Nga Shkupi, në Vlorë e Kosovë: rrugëtimi i Ramadanit drejt Europa League

Asnjë trajner nuk kishte drejtuar në tre kampionate të ndryshëm tre ekipe shqiptare. E ka bërë Zekerija, i cili tashmë shkon në Europa League

Është vetëm 40 vjeç, por CV-ja e tij si trajner është që tani e pasur. Si futbollist Ramadani ka luajtur për dy dekada në nivele të larta, nga Shkupi e Shkëndija, deri te Karabaku, duke provuar edhe Shqipërinë, mes Besës e Flamurtarit. Si trajner është në rrugën e duhur, ndonëse në Kosovë nuk i eci, pasi aventurat e tij te Trepça ’89 dhe Feronikeli zgjatën shumë pak. Mungon durimi, anembanë shqiptarisë, por Ramadani nuk ka asnjë peng, pasi gjithçka është eksperiencë. Në këtë intervistë trajneri i Shkupit rrëfen rrugëtimin e tij si trajner, duke zbuluar edhe detaje interesante nga aventura si trajner i Flamurtarit.

 

– E nisim nga fundi i sezonit: Kualifikim në Europa League me Shkupin! Duket sikur ky ekip është perfekt për ju, keni bërë gjëra të shkëlqyera gjithnjë aty, si ka mundësi?

– Është e vërtetë që Shkupi për mua është një ekip perfekt. Unë tek Shkupi i hodha hapat e para dhe i fitova te gjitha trofetë e mundshëm si futbollist i këtij ekipi. Gjithashtu, edhe hapat e para si trajner i hodha te Shkupi dhe me të vërtetë kemi bërë punë të shkëlqyer edhe radhën e parë që isha trajner, por edhe tani që u riktheva, pas dy viteve. Mendoj që jemi të bërë për njëri-tjetrin, e njoh mentalitetin e këtij ekipi dhe normal që është me kollaj për të punuar kur di gjithçka për klubin.

– Jeni i vetmi trajner që keni drejtuar në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë. A mund të bëni një krahasim? Paratë, cilësia, mentaliteti, ambiciet, hapësirat e përmirësimit?

– Po, unë kisha fatin që të punoj në këto 3 shtete dhe unë mund t’i përshkruaj në këtë mënyrë. Kampionati shqiptar është shumë përpara në të gjitha aspektet, qofshin financat, infrastruktura, ambiciet, dhe mentaliteti për të dhënë maksimumin dhe normal edhe ardhja e shumë futbollistëve dhe trajnerëve të huaj me kualitet kanë bërë që të ecë futbolli shumë përpara. Kampionati kosovar ka shumë probleme në infrastrukturë në profesionalizëm, por në Kosove ka shumë futbollistë të talentuar dhe kjo është ardhmëria e futbollit kosovar. Ne Maqedoni jane problem financat kurse sa i përket profesionalizmit është në nivel te larte si tek drejtuesit ashtu edhe trajnerët por edhe futbollistët.

– Keni qenë te Trepça dhe Feronikeli: i zhgënjyer që nuk ju dhanë kohë për të punuar? Në Kosove çdo klub ndryshon të paktën një ose 2 herë trajnerin gjate sezonit.

– Mund të them që më kanë zhgënjyer, por mendoj që ata kanë humbur më tepër se un me largimin tim. Sidoqoftë, këto ndryshime të shpeshta të trajnerëve në Kosovë vjen më shumë nga mungesa e profesionalizmit.

– Flasim pak për Flamurtarin e Vlorës: a e keni ndjekur këtë sezon? Sërish ka pasur shumë probleme në pranverë dhe nuk u licencua për në kupat e Europës.

– E kam ndjekur me shumë vëmendje dhe më vjen keq që ky ekip nuk arrin ta mbarojë një kampionat ashtu siç e meriton. Edhe këtë kampionat shum mirë e mbajti hapin me Skënderbeun, por pastaj u dorëzua. Unë jam i bindur që presidenti Sinan Idrizi do arrijë qëllimin që ka për ta bërë Flamurtarin kampion, se është shumë këmbëngulës në idetë që ka.

– Nëse do të ktheheshit pas, do ta pranonit ofertën e Flamurtarit?

– Po, patjetër që do kisha pranuar, nuk jam pishman aspak. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua.

– Na thoni dy fjalë për Shkëndijën: Është vërtet kaq ekip i fuqishëm, apo është kampionati maqedonas që ka shume probleme? Si do e shihnit Shkëndijën ne raport me Skënderbeun, për shembull?

– Shkëndija me plot meritë fitoi dy titujt. Shkëndija ka pasur ekip te mirë, por me trajnerët sikur ka dështuar në përzgjedhje. Tani ka një trajner që di gjithçka për Shkëndijën dhe arritën të fitojnë dy trofetë. Rivali tjetër për kampion ishte Vardari, i cili u dorëzua shumë më herët nga gara për titull, se ishte e pamundur të arrihej Shkëndija. Shkëndija është Skënderbeu i Maqedonisë. Megjithatë,  derisa Shkendija nuk ka shkuar ende deri në grupet e Europa League apo Champions League, atëherë do të jetë gjithmonë mbrapa Skënderbeut.

– E mbylle shkëlqyeshëm sezonin me Shkupin, si janë planet e afërta? Në Europë me Shkupin?

– Jam shumë i lumtur që arritëm të gjithë së bashku ta mbyllim sezonin me sukses, për momentin jemi përqendruar te rinovimi i kontratave të skaduara të futbollistëve. Unë kam edhe një vit kontratë me Shkupin dhe ndjehem shume komod këtu.

– Ke frikë mos largohet ndonjë lojtar cilësor?

– Pas këtij suksesi, është normale që lojtarët të kenë oferta nga ekipet e tjera dhe nëse na largohet ndonjëri ajo është për fajin tonë, se jemi vonë me rinovimet e kontratave.

– A beson te ecuria e mirë ne Europë, apo duhet parë shorti?

– Shumicën e lojtarëve e kam me eksperiencë ne kupat europiane dhe me dy ose tre përforcime mendoj qe do bëjmë skuadër cilësore. Ne po rikthehemi në Europë pas 14 viteve, ndeshja a fundit në Europë ka qenë në vitin 2004 kundër Omonias, ku dhe ka qenë ndeshja ime e fundit si futbollist i Shkupit. Tani nuk do kënaqemi vetëm me pjesëmarrje, do mundohemi të qëndrojmë sa më gjatë në Europë.

– A do doje ndonjë futbollist nga Superiorja e Shqipërise ne ekip?

– Po, patjetër që dua dhe kemi kontakte me futbollistë nga Superiorja e Shqipërisë. Shpresoj që ta mbyllim sa më shpejt marrëveshjen. Kemi buxhet të mirë për përforcime.

– A do të të joshte ndonjë oferte nga Superiorja, në rast se të vjen ndonjë deri në fund te verës?

– Jo këtë verë, shpresoj në verën e vitit 2019, sepse me Shkupin nuk më lidh vetëm kontrata, por edhe fjala e dhënë pronarit të klubit që do qëndroj deri në fund.

– Një pyetje e fundit: na tregon një gjë të bukur që kujton nga periudha kur punove në Shqipëri dhe një gjë që të ka lënë përshtypje negative?

– Gjëra të bukura ka pasur shumë, por ajo që më ka mbetur në memorie ishte pas humbjes me Kukësin në Vlorë 0-1. Edhe pse zhvilluam një ndeshje shumë të mirë, me një rast të vetëm e humbëm ndeshjen. Të nesërmen kishim takim, drejtorët, unë dhe presidenti Sinan Idrizi. Ky i fundit më tha se asnjë nga drejtorët nuk më duan në ekip, por ai ma dha mbështetjen maksimale dhe tha ‘s’ke për të ikur deri në fund të kampionatit’. Ky me të vërtetë ka qenë një moment shume i bukur, u ndjeva krenar me punën që bëja. Sa për gjërat negative, i kam harruar dhe nuk dua t’i rikujtoj fare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *