Shtutgarti për rekord, 5 përforcime në 12 minuta

Shtutgarti ka kryer jo një apo dy, por 5 përforcime sapo është mbyllur sezoni në Bundesligë. Jo vetëm kaq, sepse prezantimi i përforcimeve është bërë në harkun e vetëm 12 MINUTAVE!

Klubi gjerman e mbylli me festë sezonin, sepse fitorja 4-1 në Mynih ndaj Bajernit i vlejti vendin e shtatë dhe ndoshta kualifikimin në Europa League, ndaj entuziazmi është në maksimum, duke shpresuar që Bajerni të fitojë kupën dhe të mundësojë kualifikimin e Shtutgartit në Europë.

Orteku i përforcimeve nisi me afrimin e qendërmbrojtësit 23-vjeçar Mark Oliver-Kempf, i cili prej vitit 2014 ka qenë pjesë e Frajburgut, ndërsa tani del i lirë në treg dhe firmos për Shtutgartin.

Përforcimi i dytë ka qenë ai i David Kopaç, mesfushor ofensiv, titullar i Dortmundit U-19 në dy sezonet e fundit dhe lojtar mjaft i talentuar.

Këto ishin afrimet falas, por Shtutgarti shpenzoi për dy lojtarë të tjerë.

Nga Mançester Siti është blerë për pak më shumë se 8 milionë euro mbrojtësi 20-vjeçar Pablo Mafeo, i cili ka firmosur kontratë 5-vjeçare në Shtutgart. Nëse nuk e njihni, bëhet fjalë për një mbrojtës që ka shkëlqyer në huazim te Zhirona këtë sezon, duke qenë lojtar kyç dhe dyke spikatur në një ndeshje kundër Barcelonës, ku mbuloi shumë mirë Mesin.

Nga Dinamo e Zagrebit te Shtutgarti është transferuar mbrojtësi 20-vjeçar Borna Sosa. Kroati ka firmosur për 5 vite në Gjermani, ndërsa Dinamo fiton rreth 7.5 milionë euro.

Në fund, Shtutgarti ka zyrtarizuar blerjen e anësorit ofensiv Roberto Masimo. Vetëm 17 vjeç, ganezi ka shkëlqyer te të rinjtë e Arminia Bilefeldit dhe ka luajtur edhe 7 ndeshje në Bundesligën 2. Shtutgarti do ta lërë në huazim deri në verën e vitit 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *