Dje ndarja përfundimtare nga Juventusi, nga familja e vet siç e quajti portieri legjendar, ndërsa sot Xhixhi Bufon duhet të nisë të mendojë për të ardhmen.
Futbollin nuk ka ndërmend ta lërë, është i vendosur, edhe pse 40 vjeç, ndaj Bufon pret oferta dhe ato nuk i mungojnë.
Oferta më e bujshme ka ardhur nga PSG, të paktën kështu shkruan Le Parisien, që shpjegon se klubi francez i ka ofruar një kontratë dy-vjeçare portierit legjendar, mbi të gjitha për ta bere si imazh të një klubi që dëshiron të bëhet i madh në arenën ndërkombëtare.
Bufon është tunduar nga kjo ofertë, sepse kërkon të luajë në klub të nivelit të lartë në Europë dhe PSG i plotëson kriteret, edhe financiare. Nëse i garantohen minuta në Paris, me shumë gjasa Bufon transferohet në Francë, për të tentuar të pamundurën, të bëhet kampion Europe me PSG-në, pas dy dekadash përpjekjesh të dështuara.