Ekipi krutan është gati për sfidën e madhe kundër bardhebluve në “Elbasan Arena”
Bujar Balliu
Kastrioti do të kërkojë sot të vulosë një sezon perfekt në Kategorinë e Parë. Tashmë që është siguruar ngjitja, por synimi i krutanëve është fitimi i trofeut të Kategorisë së Parë. Përballja e sotme me Tiranën ka marrë vlerësim maksimal futbollistët dhe stafi teknik, ndërkohë që presidenca ka vendosur një premio të majme në rast fitimit të këtij trofeu. Gjithashtu, janë vendosur edhe autobusë falas për tifozët që janë të interesuar për ta ndjekur këtë ndeshje në stadium. Tekniku Samuel Nikaj ka preferuar të flasë shkurtimisht për këtë ndeshje, duke deklaruar se skuadra që ai drejton është përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, dhe synon që kjo kupë të shkojë në Krujë. “Jemi përgatitur maksimalisht për këtë finale . Ekipi është i plotë dhe i karikuar për fitore pavarësisht cilësive të kundërshtarit. Ne nuk do heqim dore nga motoja jonë e fillim sezonit “respekt për çdo kundërshtar, por frikë asnjë”. Ne kemi zhvilluar një sezon fantastik dhe shpresoj që ta mbyllim këtë sezon, gjithmonë, duke zhvilluar atë futbollin tonë karakteristik, sulmues dhe të bazuar në qarkullimin e dendur të topit. Kam besim te skuadra që do të arrijmë të marrim këtë trofe”, tha Samuel Nikaj.
FORMACIONI – Tekniku Nikaj ka planifikuar të hedhë në fushë formacionin më të mirë. Nisur me portierin Kuka, e më pas mbrojtja, e cila pritet të përbëhet nga Husein, Lila, Çela e Hoxha. Në mesfushë me shumë gjasa mund të kemi Çutrën dhe Mulaj, e në dy krahët Lilaj dhe Mziu. Në vijën e parë, pritet të jetë Malindi dhe Marku.