Në dy ndeshjet e fundit e gjithë vëmendja do të jetë te sulmuesi afrikan, që synon “Këpucën e artë”. Pjesa tjetër do të jenë lojtarët e stolit
Leonard Trebicka
Ali Soue ka 20 gola deri tani, 2 javë para fundit të kampionatit, kurse rivali i tij, Sindrit Guri, ka 19 gola. Kjo dyshe do të rivalizojë për “Këpucën e artë” dhe korçarët duan ta ndihmojnë sulmuesin e tyre për të fituar trofeun personal. Në ndeshjen e fundit, atë ndaj Teutës, Ali Soue e nisi ndeshjen nga stoli, u aktivizua 13 minuta në fund dhe shënoi golin e nderit. Nga ana tjetër, Guri nuk ia doli të shënonte, edhe pse ishte titullar ndaj Luftëtarit.
TITULLAR NË GJIROKASTËR – “Sport Ekspres” mëson se trajneri Ilir Daja do ta aktivizojë titullar të shtunën sulmuesin nga Gambia. Soue do të jetë i vetmi titullar në fushë, kurse pjesa tjetër e formacionit të Skënderbeut do të jetë me lojtarët e stolit. Nga burime pranë ekipit korçar mësohet se ndaj Luftëtarit do të luajnë po ata që luajtën ndaj Teutës, me ndryshimin e vetëm se Ali Soue do të luajë nga minuta e parë, duke zëvendësuar njërin mes Krasniqit dhe Vilës. Po ashtu, mësohet se në ndeshjen e fundit të kampionatit, atë ndaj Vllaznisë në Korçë, trajneri Daja do të ndryshojë sërish, duke aktivizuar më shumë titullarë. Kjo ndeshje mund të jetë edhe “prova gjenerale” para finales së Kupës së Shqipërisë.
OBJEKTIVI – Soue erdhi në formë huazimi nga Kievo te Skënderbeu dhe përveç titullit, kërkon ta mbyllë sezonin edhe si golashënuesi më i mirë i Superiores, për të lënë gjurmë tamam në Shqipëri. Nuk dihet ende e ardhmja e tij, nëse do të qëndrojë apo jo te Skënderbeu edhe vitin e ardhshëm. Lojtari në fjalë ka bërë një paraqitje shumë të mirë, ku në 34 javë ka shënuar 20 gola, por janë edhe 180 minuta, që ai kërkon t’i shfrytëzojë maksimalisht. Vetë lojtari është i bindur se titullin kampion do ta shoqërojë edhe me “Këpucën e artë”.
“Do të ishte diçka vërtet speciale, nëse do të arrija tre objektiva të rëndësishëm me Skënderbeun. Titullin e kam fituar, dua të fitoj trofeun e golashënuesit dhe atë të Kupës së Shqipërisë. Me këto tre suksese do ta quaja këtë sezon shumë të suksesshëm me mua me fanellën e Skënderbeut. Do të përpiqem shumë të jap më të mirën në këto dy ndeshje që na kanë mbetur. Jam në formë të mirë sportive, pas dëmtimit që pësova javë më parë. Shpresoj shumë të shënoj sërish. Titullin e kemi mbyllur, por do të mundohem shumë të shënoj edhe në Gjirokastër. Guri është një lojtar shumë i mirë, edhe ai mund të shënojë. Nuk është se këtë trofe personal e kërkoj me ngulm, por nuk e fsheh se më pëlqen ta kem unë. E rëndësishme është që të arrijmë objektivat e klubit, të fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë. Po kaloj një vit të shkëlqyer te Skënderbeu dhe kjo është më e rëndësishmja. E ardhmja? Nuk mund të flas tani, pyesni presidentin. Dëshira ime është të qëndroj dhe të luaj edhe në Champions, por asgjë nuk është në dorën time,” – ka thënë dje Soue.