Qaka transferohet te Steaua, Iasi “dorëzohet” për 300 mijë euro!

Merr fund telenovela e lidhur me të ardhmen e Kamer Qakës, pas shumë zërash, aludimesh, hipotezash, negociatash apo edhe “mundje dore” sa i përket drejtuesve të klubit Politeknika Iasi. Mesfushori i talentuar i Shqipërisë do të transferohet te skuadra më e madhe në Rumani, Steaua Bukuresht, pasi presidenti Bekali është bindur dhe ka “dërguar” çekun te klubi ku aktivizohej futbollisti i transferuar nga Norvegjia përpara një sezoni.

Iasi do të përfitojë 300  mijë euro, por në total Steaua shpenzon 400 mijë euro (100 mijë euro do t’u shkojnë agjentëve që e çuan te Iasi me parametra zero), duke qenë se kontrata e tij skadonte në fund të sezonit tjetër. Kështu, Iasi është detyruar që të “lëshojë” futbollistin shqiptar me pasaportë norvegjeze, që në verën e vitit 2017 u transferua nga Kristiansund me parametra zero.

Detajet – Iasi, megjithatë ka futur një klauzolë brenda transferimit të lojtarit, pra duke përfituar në të ardhmen, në rast se do të rishitet nga Steaua Bukureshti. Kështu, 10-15% e kartonit do të jetë ende në pronësi të klubit Politenika, ku Qaka këtë sezon ka luajtur 28 ndeshje dhe 26 herë në fushë si titullar.
Sakaq, vetë 23-vjeçari ka firmosur një kontratë për pesë vitet e ardhshme me Steauan, ku do të përfitojë në total rreth 800 mijë euro, të shpërndara në fakt sipas një skeme të posaçme: dy sezonet e para do të përfitojë 288 mijë euro, ndërsa të tretin 156 mijë euro, të katërtin 168 mijë euro dhe të fundit 180 mijë euro. Firma pritet që të hidhet gjatë javës në kontratën e tij të re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *