Takaj: Ky titull kompleton rrugëtimin tonë të suksesshëm

Presidenti i Skënderbeut: Që nga Kupat e Europës e deri tani kemi pasur një ecuri mbresëlënëse. Kupa do të jetë qershia mbi tortë

Fatjon Rupi

Kohë feste në kampin korçar. Skënderbeu, pas një rrugëtimi shumë të gjatë, ka shtuar trofeun e titullit të tetë kampion në histori në palmaresin e tij. Festa zyrtare do të jetë pas ndeshjes së fundit të kampionatit, asaj me Vllazninë, por edhe dje në mbrëmje, pas fitores me Lushnjën dhe humbjes së Kukësit, drejtuesit kanë bërë një festë të vogël për rikthimin te titulli kampion. Presidenti Ardjan Takaj fiton titullin e 5-të i vetëm në krye të korçarëve, pasi dy i ka fituar bashkë me ish-presidentin Agim Zeqo. Tani ndihet shumë i lumtur. Për Sport Ekspres ai dje është shprehur se ky trofe kompleton rrugëtimin e gjatë dhe të suksesshëm të Skënderbeut, të nisur që verën e kaluar me ecurinë mjaft pozitive në Europë:

TITULLI

Patjetër që është një titull i merituar për Skënderbeun, për atë që ka dhënë në këtë sezon. E prisnim. Ky trofe kompleton atë rrugëtimin tonë të gjatë, që e kemi nisur që verën e kaluar, me pjesëmarrjen në Kupat e Europës, kalimin e katër tureve eliminatore dhe kualifikimin në grupet e Europa League. Suksese të jashtëzakonshme dhe më pas një kampionat i dominuar nga ne gjatë gjithë kohës. Ka qenë një sezon mjaft i lodhshëm dhe i jashtëzakonshëm për rezultatet që kemi arritur.

CAS

Ajo është një betejë më vete për klubin tonë, që shpresojmë ta fitojmë, por tani është koha të festojmë për këtë arritje.

E ARDHMJA

Çfarë presim nga ky Skënderbe? Ekipi ynë është mësuar të progresojë, të ecë hap pas hapi dhe këtë do të shohim edhe në të ardhmen, të përmirësohemi sa më shumë. Do të përpiqemi të bëjmë gjithmonë e më shumë, të arrijmë suksese të tjera, pasi nga ky ekip të gjithë tashmë presin më shumë.

KUPA

E kemi thënë disa herë se ky është sezoni i duhur për suksesin e dyfishtë. I kemi shkuar disa herë afër kupës, por këtë herë shpresojmë shumë ta fitojmë. Do ta kompletonim tamam këtë rrugëtim tonin shumë të suksesshëm, do të ishte qershia mbi tortë fitimi i Kupës së Shqipërisë, – ka përfunduar presidenti i ekipit korçar, Ardjan Takaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *