Trajneri Kristian Panuçi ishte në stadiumin “Niko Dovana” për të ndjekur nga afër Sindrit Gurin. Sulmuesi i Kukësit është paraqitur shumë mirë në ndeshjet e fundit dhe ka bërë diferencën. Nuk mund të kalonte jashtë vëmendjes së italianit, që duket se e ka shtuar në listën e alternativave 24-vjeçarin, i cili nuk zhgënjeu ndaj Teutës duke shënuar dy herë. Numri 1 i stolit kuqezi ka vlerësim maksimal për shënuesin e 19 golave këtë edicion dhe për “Supersport” tani këshillon lojtarin e Kukësit që të mos e ulë ritmin: “Guri ia ka bërë vetë vendin vetes në kombëtare nëpërmjet paraqitjeve dhe golave që po shënon. Duhet të vazhdoj të punoj dhe shpresojmë që te jetë pjesë e grupit, por gjithçka varet nga ai. Unë ftoj gjithnjë më të mirët”.
Nga Guri te Kombëtarja ka programuar dy ndeshje miqësore dhe trajneri përfaqësueses komenton gjendjen e lojtarëve të tij para dy takimeve miqësore me Ukrainën dhe Kosovën ku shpreson që skuadra të përmirësohet: “Fizikisht lojtarët nuk do të vijnë në maksimumin e mundshëm, megjithatë kombëtarja është kombëtare dhe nuk ka shumë takime miqësore, kështu që në 10 ditët e grumbullimit duhet të punojmë me seriozitet për të vijuar me përgatitjet në kuadër të Ligës së Kombeve dhe eliminatoreve të Europianit. I kuptoj futbollistët që kanë zhvilluar një sezon të lodhshëm, duke dhënë gjithçka, megjithatë duhet të japin edhe diçka për kombëtaren në mbyllje të sezonit, sepse me skuadrën përfaqësuese nuk bëhet shaka. Grupin po e formojnë. Pas humbjes me Norvegjinë e kuptova që diçka duhet të ndryshojmë, por me fokusin kryesor tek mënyra e lojës. Në Zvicër do të provojmë në disa aspekte të rëndësishme”.
Panuçi nuk mund të linte pa komentuar dhe afrimin e Marko Kasetit në rolin e ndihmësit të tij, ku shpreson që të japë kontributin e tij nga eksperienca që ka: “Besoj se ka mbi 300 ndeshje në Serinë A. Kemi qenë shokë skuadre te Roma. Kam një marrëdhënie mjaft të mirë me të, mund të më ndihmojë sidomos me mbrojtësit dhe puna e tij do të ketë shumë vlera në përmirësimin e repartit difensiv.”
Paraditen e djeshme Panuçi ka pasur një takim dhe me trajnerët ekipeve zinxhir të Shqipërisë dhe kjo ishte diçka pozitive sipas teknikut italian, ku beson se në sajë të bashkëpunimit do të rritet dhe cilësia e elementëve kuqezi në të ardhmen: “Sapo zhvilluam një mbledhje me të gjithë trajnerët e kombëtareve të moshave. Federata Shqiptare e Futbollit po investon për të rritur sa më shumë talente nga Shqipëria. Shpresojmë që të lindin sa më shumë lojtarë me cilësi, që në të ardhmen t’i shërbejnë përfaqësueses. E rëndësishme është që puna dhe bashkëpunimi me klubet ka nisur.”