Josa për Tiranën: Problemet e mbartura të shkatërrojnë

Trajneri aktual i Prishtinës ka një mesazh për drejtuesit e Tiranës. Nuk mungon ngacmimi për Partizanin dhe komenti për çështjen Skënderbeu, apo për rrezikun e rënies së Vllaznisë e Teutës

Mirel Josa ka kaluar nga bardheblutë te bardheblutë, nga kryeqyteti në kryeqytet. Tekniku po drejton Prishtinën dhe po lufton për të fituar titullin kampion. Ajo që i ndodhi vjet me Tiranën nuk do të harrohet lehtë prej tij, por tregon në një intervistë të dhënë në “RTSH Sport” se e kishte menduar se do u ndodhte diçka të tillë. Nga ajo që thotë, duket qartë se ndarja me presidentin Halili nuk ka qenë e duhura, edhe pse Josa nuk tregohet i drejtpërdrejtë. “Që kur jam shkëputur nuk kam pasur më kontakte me atë klub dhe kështu është mënyra ime e punës kur punoj në çdo klub. I lë njerëzit të vazhdojnë në punën e tyre. Kthimi në Superiore është një ogur i mirë, sepse Tirana aty e ka vendin dhe për të pretenduar për kampionat. Për Tiranën mund të flasin më mirë njerëzit që e drejtojnë Tiranën, njerëzit që e organizojnë Tiranën, pasi kam dëgjuar edhe para shumë kohësh që ka probleme të mbartura dhe problemet e mbartura janë ato që shkatërrojnë një skuadër”, shprehet Josa.
SKËNDERBEU
Më tej trajneri i Prishtinës flet edhe për ish-ekipin tjetër, Skënderbeun. Me korçarët ka shijuar disa herë radhazi titullin kampion, por në qendër të vëmendjes është dënimi i UEFA-s. “Normal që i ka pasur problemet në fushën ligjore edhe më parë. Problemet u hapën sërish me dënimin 10-vjeçar dhe unë jam prononcuar shumë pak. Jam pyetur edhe nga mediat këtu në Kosovë, por edhe nga mediat në Shqipëri përsa i përket dënimit të Skënderbeut. Më ka ardhur keq për këtë dënim, pasi fundja nuk e merr individi, por e merr klubi, kjo nëse ka fakte sa i përket trukimeve, që i bëjnë njerëz, nëse janë bërë. Unë personalisht jam marrë me stërvitjen dhe drejtimin teknik të skuadrës. Ata fituan një betejë, ishin shënuar 50 ndeshje të trukuara. Beteja e fituar që i përket kampionatit që donin të na e hiqnin, është një fakt i mirë për të vazhduar luftën për të mos u dënuar.

Titulli i hequr?
Unë nuk e kam pasur shumë mendjen te titulli i hequr nga FSHF, pasi Skënderbeu e fitoi në fushë. Ata që duan t’i fitojnë jashtë fushe mund të veprojnë si të mendojnë ata. Nga momenti që nuk ka pasur fakte për trukime të ndeshjeve, ose nuk është bërë një barazi në kampionatin shqiptar përsa i përket ecurisë së tij dhe mënyrës se si zhvillohen lojërat, nuk kishte pse të hiqej titulli. Unë, donin apo nuk donin ata, pjesën time të titullit nuk e jepja”.

Vllaznia & Teuta
Josa ka folur edhe për situatën e shkodranëve dhe durrsakëve, ku ka punuar në të shkuarën: “Kam punuar tek të dyja klubet. Te Vllaznia në kushte të tjera, kur ka pasur një presidenti, i cili përgjigjet për të. Në momentin që ka ikur presidenti Fushaj, kam punuar tre vjet në periudha të ndryshme, ndryshuan edhe raportet. Situata është e vështirë, kam qenë në kontakt të vazhdueshëm, kam pasur mikun tim Cungu që drejtoi skuadrën. Isha në kontakt sa i takon situatës, por duhet t’i përjetosh vetë brenda klubit për të nxjerrë konkluzionet e duhura. Vllaznia lojtarët i ka, gjithashtu edhe Teuta pas një fillimi të vështirë, mendoj se pati njëfarë stabiliteti. Erdhi problemi që një nga këtu dy skuadra rrezikon për të rënë, bashkë me Kamzën. Këtë situatë e kam përjetuar vjet te Tirana dhe e kisha parashikuar këtë situatë. Ishte një situatë e parashikuar më përpara nga ana ime, por kur vjen në këto situata duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sepse rregullimet te një skuadër nuk bëhen nga dita në ditë. Ajo prishet në fillim të një kampionati dhe më pas degradohet dalëngadalë. Të dyja skuadrat duhet të kenë besim te vetja, te stafi drejtues dhe teknik, në mënyrë që të shpëtojnë. Për fat të keq njëra nga këto do të bjerë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *