Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, i ftuar te Rubrika Sportive, në RTSH, po flet në lidhje me ngjarjet në Vlorë dhe te sfida Flamurtari-Vllaznia, 1-1, me shumë episode të çuditshme…
“Jam më i qetë teorikisht, praktikisht më i acaruar. Më vjen keq që u realizua një skenar nga ajo që do të realizohej nga zotërinjtë e tokave të zeza…
Më vjen keq nga ajo që thuhet se në Vlorë u dhunua një gjyqtar, sepse nuk ndodh kurrë. Thjesht u dhunua një qytet i gjithë, në format më të ndryshme. Ky zotëri që dhunon Vlorën, vjen me stemën e federatës shqiptare të futbollit”.
“Doi të jertë shumë mirë nëse është inat personal, por po flitet për diçka tjetër. Licencimi i Flamurtarit në Europë? Ka problem mes nesh dhe komisionit. Na kanë dhënë afat për të sjellë dokumente të tjera, por nuk është si thashetheme i kafeneve. Ne përpiqemi që të jemi sa më korrekt”.
Deklarata e FSHF më tepër se korrekte, kur shkruan për shkak të dhunës verbale, pati edhe fizike. E kanë kuptuar që një dhunë verbale agravon atë që më pas ndodhi… Kush ishte nismëtari? Bëhet fjalë për një dhunë verbale, thuhet qartë. Zoti Duka tha që do të përmirësojë shumë gjëra të mira që nuk ka bërë në të ardhmen. Kjo më shtyn të mendoj se gjërat kanë nisur të ndryshojnë, duke parë komunikatën”.
“Kemi raporte të policisë shqiptare dhe nuk ka shanse të ketë shenja dhune fizike nga unë. Në këto katër vjet, kurrë nuk kam bërë diçka të tillë. Jam përpjekur të ul gjakrat dhe në momentin e daljes me të kuq të Beharit, zbrita dhe e mora lart. E përsëris, dhuna verbale që nisi nga arbitri shkoi në fizike, një shtyrje midis tifozerisë vlonjate dhe arbitrave, pas provokimit”.
“Jeni penalizuar edhe herë të tjera, pse këtë ndeshje u acarua dhe u arrit kulmi? E përsëris, zbrita poshtë të qetësoj situatën, për të marrë lojtarët dhe për t’i çuar në dhoma, pasi kishte fyerje mes Muharem dhe Zykës me arbitrat. Arbitrat hynë në dhomën e zhveshjes, dolën dhe shanë me libër shpie tifozët, nga xhami. Çudia më e madhe nuk është se ne sot nuk na mbajtën nervat, por zgjodhën skenarin më të bukur që kishin organizuar vet, atë të dhunës verbale. Unë zbrita t’i përgëzoja, ashtu si bëj gjithmonë”.
“FSHF ka thënë se miku u prit keq? Miqtë tanë ishin shkodranët, me të cilët pas ndeshjes u takuam. Përpara ndeshjes, piva kafe me shkodranët që kanë luajtur në Vlorë, si Lika, Vucaj dhe Mersini. Madje, bëra batuta me Vucaj, që më tha se i shënoj nga 30 metra. Vumë bast një picë, bast të cilin fitova unë. Federata nuk është as miku im,as i Shkodrës por asnjanjësi. Miku duhet të dijë rregullat e të zotit të shtëpisë nëse është mik”.