Në një dekor fantastik në “Camp Nou” me të shkruar të madhe “Campeones” (Kampionë), Klasikja e futbollit spanjoll dhe ndoshta e gjithë botës, kur bëhet fjalë për spekakël, ka dhuruar gjithçka që duhet për ta bërë më të bukur… Katër gola, rivalitetin Mesi-Ronaldo në shifrat e rrjetave, por edhe një i kuq, polemika, penallti të padhëna, vërshëllima dhe shumë e shumë emocione deri në fund…
Barazimi 2-2 është pikërisht produkt i kësaj historie 90 minutëshe, që pa katalanasit me dhjetë lojtarë pasi Serzhi Roberto doli me të kuq, por Lionel Mesi ishte në mbrëmjen e tij, teksa Ronaldo, që luajti vetëm 45 minuta (Zidan e ndërroi pas pushimit) gjithashtu la shenjë, duke barazuar golin e Suarezit në fillim. Një natë ku pa edhe Bejlin që të shënonte, me një silurë, ndërsa në fund ishin raste për të dy ekipet dhe një faull brenda zonës në dëm të Marselos, me arbitrin që gaboi.
Për kampionët e Spanjës, vazhdon pathyeshmëria në kampionat, me 0 humbje, teksa kanë mbetur edhe dy javë deri në fund. Ronaldo arrin Di Stefanon (18 gola), ndërsa Mesi vazhdon të shënojë në “El Classico” duke shkuar 26, rekord.