Prej disa javësh klubi po punon në çdo drejtim, por duhet parë a do të mjaftojë për UEFA-n
Alarmi është dhënë prej kohësh, edhe në Sport Ekspres para pak muajsh, por kaloi në heshtje, mohime e akuza, ose me premtimin do ta shihni që jemi në rregull, nuk na e prek kush Europën. Tani Flamurtari është në hall të madh dhe fatkeqësisht frika e para disa muajve ka qenë me baza reale: klubi vlonjat ka pasur borxhe të shumta pa shlyer dhe për të mundësuar licencimin për pjesëmarrje në kupat e Europës duheshin shlyer të gjitha pa ardhur pranvera.
Në javët e fundit klubi vlonjat është zgjuar dhe ka mbyllur shumë çështje, borxhe të mëdha e të vogla, herë duke paguar e herë duke fituar përgjysmë çështjet, si në rastin e Yll Hoxhës, i cili pretendonte mbi 20 mijë euro, por do të marrë vetëm 10 mijë.
Borxhet thuajse janë zeruar, bëhet fjalë për një shifër goxha të madhe, thuajse 200.000 euro në total, por kjo nuk do të thotë që gjithçka është në rregull.
Flamurtari nuk i plotësonte kriteret e licencimit në shkallën e parë, duke mos kaluar klasën në fund të marsit, ndërkohë që tashmë duhet të paraqitet në apel me llogari të zeruara.
E vështirë, mbi të gjitha për faktin se tashmë UEFA ka ndërhyrë fuqishëm për të parë qartë mbi situatën financiare të klubeve shqiptare dhe Tiranës iu dogj fondi i pjesëmarrjes në Europë për vitin e shkuar. Nëse Flamurtari pas pak ditësh do të lejohet të luajë në Europë, pavarësisht nëse shkon apo jo, do të jetë një fitore e madhe, sepse për herë të parë pas shumë e shumë vitesh klubi kuqezi do të jetë pa borxhe.