Lufta e një komuniteti që ngriti gjithçka nga zero dhe nuk pranoi “të shiste” nderin dhe historinë
Speciale nga Anton Cicani
Si do të ndiheshit sikur dikush të vinte në shtëpinë tuaj një ditë të bukur, të trokiste në derë dhe pasi ta hapnit atë, t’iu thoshte: “Unë jam pronari i ri i pallatit dhe ju kërkoj që të mblidhni plaçkat, pasi do të transferoheni te një pallat tjetër, më i mirë, disa kilometra larg këtij”.
Do të pyesni: për çfarë motivi ? Thjesht sepse vendbanimi i pronarit të ri ishte një tjetër lagje. Imagjinoni, të detyroheni të largoheni nga ajo lagje ku jeni rritur, nga ato rrugica ku keni lëvizur, ku ndoshta edhe jeni penguar dhe gjakosur, por sidomos nga lokalet dhe vendet e frekuentuara që kanë shënuar fëmijërinë tuaj, përveç identitetit…
Dhe, e gjitha kjo sepse pronari legjitim i pallatit dhe lagjes, në fakt, nuk ka më para dhe është i zhytur në borxhe që prekin 20 milionë eurot. Kështu, ia pason dorën dikujt tjetër, i cili ka ndër mend gjëra të mëdha, por që harron se duhet të bindë banorët.
Jemi në vitin 2002 dhe ai pallat ose lagje e banuar quhet “Wimbledon FC”, skuadër e vjetër e Londrës. Piter Uinkelman, biznesmeni anglez me banim në Milton Keines, kishte kohë që kërkonte një klub që “lundronte” në kategoritë e ulëta, për ta ringritur, financuar dhe kthyer në biznes fitimprurës, edhe për komunitetin. “Shënjestra” bie mbi Uimbëlldonin, që prej vitesh kërkonte të mbijetonte, por e kishte të vështirë. Nënshkruhet dokumentet zyrtare dhe bëhet kalimi i pronësisë. Deri këtu, gjithçka “ok”, por më pas lajmi: selia historike e klubit duhet të transferohet disa kilometra më larg, duke lënë lagjen London Borou of Merton për të shkuar në lagjen tjetër, Milton Keines…
Tifozët e Uimbëlldonit vendosin që të bojkotojnë ndeshjet në stadium dhe nuk duan t’ia dinë më për këtë skuadër… Por, revolta e tyre nuk ndalet me kaq. Në maj të vitit 2002, vendosin që të krijojnë AFC Uimbëlldon, vetëm që të qëndrojnë në lagjen e tyre, në “pallatin e tyre”, duke e financuar me paratë e tyre këtë nismë dhe duke e nisur nga diletantët.
Kalon një vit dhe Uinkelman detyrohet që të ndryshojë emrin e klubit nga Uimbëlldon FC në Milton Keines Dons FC (më mirë njohur si MK Dons). Federata aprovon, teksa tifozët e Uimbëlldon AFC kërkojnë që historia t’i kthehet mbrapsht, pasi një klub i krijuar në emër të biznesit nuk mund të jetojë mbi pasionin dhe dashurinë. Kështu, gjithçka që i përket Uimbëlldon AFC i kthehet nga MK Dons.
Vitet kalojnë mes pasionit të tifozëve që shpëtuan nderin, sakrificave të tyre dhe një dëshire të madhe: të arrijnë rivalët e urryer, ajo skuadër që u formua mbi djersën dhe mundin e një komuniteti dhe që “iu vodh” në mënyrë të kobshme.
Koha ecën ngadalë, por edhe shpejt. Aq sa tifozët e Uimbëlldon AFC e shohin veten në një ngjitje të jashtëzakonshme, kur në vitin 2017 shkruajnë historinë: për të parën herë do të luajnë në League One (kategoria e tretë angleze). Pra 15 vjet nga rinisja te diletantët. Në League One gjejnë ata, të urryerit MK Dons.
Por, karma ende nuk ka mbyllur rrethin e saj. Sepse, këtë vit, AFC Uimbëlldon arrin mbijetesën në League One. Jo diçka e jashtëzakonshme nëse flitet për rezultat sportiv, por tabela e klasifikimit detyron MK Dons të zbresë një ligë më poshtë, pra në League TWo, kategoria e katërt. Pra, për të parën herë në histori, AFC Uimbëlldon e sheh veten një kategori më lart atij klubi që më shumë se një dekade më parë mbante emrin e tyre.
Tifozët e AFC Uimbëlldonit e festojnë sikur të kishin fituar Champions League ose Kupën e Botës. Asnjë trofe në botë nuk do të mund t’i japë atë kënaqësi që sapo i dha rënia nga kategoria e atyre që i nxorën nga pallati dhe donin t’i hiqnin nga lagjja ku ishin rritur. Ai pallat mbahet fort, ndërsa pallati i ri tashmë rrezikon që të shembet…
Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që shpjegon se pse tifozët janë vërtetë kolona e këtij sporti të mrekullueshëm të quajtur “FUTBOLL”