Një gol nga Diego Kosta në fundin e pjesës së parë i ka dhënë fitoren 1-0 dhe kualifikimin për në finalen e Europa League Atletikos së Madridit, që ka mposhtur Arsenalin në një ndeshje me emocione të mëdha.
Një sfidë që anonte nga Atletiko, psa barazimit në Londër, por Arsenali nuk kishte shkuar për shëtitje në Madrid. Sfidë e hapur e me shumë raste, nga të dy krahët, por mendoi Diego Kosta ta zgjidhte, me një gol të shënuar në fundin e një pjese të parë ku u regjistrua edhe një dëmtim i rëndë për mbrojtësin francez Kosielni, i cili rrezikon pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Antuan Grizman humbi raste të mira, mbi të gjitha një të tillë kur Diego Kosta dhuroi spektakël në zonë dhe pasoi te francezi, që nuk shënoi dot. Edhe Arsenali krijoi shumë situata të rrezikshme dhe të paktën një gol duhej ta kishte shënuar, por herë Oblak e herë fati ishin kundër anglezëve.
Nga tribuna, ku qëndronte për shkak pezullimi, Diego Simeone festoi më në fund, pas 90 minutash si luan në kafaz, ndërsa Arsen Venger (250 ndeshje në kupat e Europës) largohet me dëshpërim nga Arsenali, duke mos e mbyllur dot me trofe.