Di Françesko: Nëse shënojmë shpejt…

Rezultati i ndeshjes së parë u jep pak shpresa vendasve, por italianët gjejnë frymëzim te përmbysja ndaj Barcelonës.

Një humbje 5-2 në “Anfield” është një goditje dërrmuese për shpresat e çdo klubi, por jo për Romën e Di Françeskos. Verdhekuqtë janë të frymëzuar nga përballja e 10 prillit kundër Barcelonës, kur i dhuruan miliona fansave një natë që nuk do mbahen mend për shumë vite me radhë. Kësaj radhe matematika i ka vënë para së njëjtës prove. Romës i duhet përsëri si në ndeshjen ndaj katalanasve, një fitore prej të paktën tri golash diferencë. Kryeqytetasit e dinë mirë se anglezët nuk do të jenë aq të përgjumur sa rivalët e tyre të mëparshëm, megjithatë ata do të provojnë shansin e tyre para një publiku prej 70.000 tifozësh të cilët presin që skuadra e tyre e zemrës t’i dhurojë përsëri emocionet e tri javëve më parë.

DI FRANÇESKO

Nëse në disfatën 4-1 në “Camp Nou” faji për humbjen e thellë iu faturua fatit të keq, trajneri i Romës Eusebio Di Françesko mori përsipër fajin e humbjes për rezultatin 5-2 në “Anfield”. Klop e kishte studiuar mirë fitoren e italianëve ndaj Barcelonës dhe mori masat e duhura për t’iu kundërpërgjigjur me efikasitet maksimal taktikave të përdorura nga tekniku Italian. Tani radha për të “lëvizur gurët” i kalon Di Françeskos. Në daljen për shtyp para ndeshjes, tekniku 48-vjeçar u pyet menjëherë për ngjashmëritë e sfidës së sotme me atë të Barcelonës: “Do të kemi përballë një skuadër krejt ndryshe, si nga ana taktike, por edhe psikologjike. Liverpuli është një skuadër që nuk dominon shpesh në zotërimin e topit, pasi pëlqejnë të luajnë në kundërsulm. Por gjithsesi, do të na duhet motivim si në ndeshjen ndaj Barçës. Duam të bëjmë përsëri një përmbysje, do të na duhet të japim gjithçka që të arrijmë diçka të veçantë”. Më pas gazetarët e pyetën italianin sesi mund të ndalohet një skuadër si Liverpuli: “Do të duhet të tregojmë të njëjtën dëshirë për të kaluar më tej siç treguam në ndeshjen ndaj lojës. Lojtarët duhet të jenë në maksimumin e tyre si në aspektin fizik, por edhe psikologjik. Është shumë e rëndësishme që ta gjejmë golin sa më shpejt, si dhe natyrisht kemi nevojë edhe për mbështetjen e vazhdueshme të publikut, për këtë të fundit jam i bindur që nuk do të mungojë.”

PËRPLASJET MES TIFOZERIVE

“Çdo tifozeri ka një minoritet të cilët bëjnë veprime që kategorikisht s’duhet të bëhen. Siç e kam thënë dhe më parë shpresoj që tifozi i lënduar të rikuperohet sa më shpejt. Mund t’ju siguroj se tifozët e skuadrës së Romës janë kundër veprime të dhunshme. Fatkeqësisht si kudo nëpër botë, ka dhe individë që prishin atmosferën e bukur që krijojnë përballje të tilla. Shpresoj që të jetë një ndeshje sa më e bukur për të gjithë ata tifozët e pranishëm në ndeshjen e nesërme (sotme)”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *