Trajneri i Liverpulit ka paralajmëruar verdhekuqtë para takimit të kthimit në “Olimpico”. “Jemi këtu për një objektiv historik, nuk është e lehtë të na shënosh tri gola”
Fill pas takimit të vajtjes në “Anfield” e fituar 5-2 nga Liverpuli, në Romë nuk ka pasur diskutim tjetër veç përmbysjes së dytë në pak javë pas asaj ndaj Barcelonës. Në Romë duken të bindur se mund t’ia dalin sërish. Por përballë nuk do të jetë Barcelona. Përballë do të jenë Liverpuli dhe Jurgen Klopi. Anglezët duken të vendosur. Edhe problemet në “shtëpi” ku mediat angleze raportojnë për një çarje mes Klopit dhe krahut të tij të djathtë Buvac nuk e kanë shqetësuar së tepërmi trajnerin gjerman, i cili ka paralajmëruar Romën. “Nuk do të presim në dhomat e zhveshjes. Ne nuk jemi as Çelsi e as Barcelona. ne jemi këtu me një objektiv të madh, për të shkuar në finale. Vijmë në Romë për të luajtur gjëra të mëdha”- ka thënë Klop.
Përmbysja e Romës – Për trajnerin e Liverpulit, tek Roma kanë të gjithë arsyet për të besuar në një tjetër përmbysje si ajo ndaj Barcelonës. Por ai ka paralajmëruar verdhekuqtë, se për ta do të jetë shumë e vështirë të shkojnë në Kiev. “Tek Roma janë optimistë se mund të na shënojnë me lehtësi tri gola. Të gjithë mendojnë se Romës i duhen vetëm tri gola. Natyrisht që mund të ndodhë, sepse në futboll ndodhin shpesh të papritura. Por e shoh të vështirë për Romën, sepse nuk është e lehtë të luash kundër nesh dhe të na shënosh 3 gola. Nëse ata do t’ia arrijnë, atëherë nuk na mbetet veçse t’i shtrëngojmë duart dhe t’i urojmë suksese në finale. Por ne zbresim të vendosur në fushë. Kjo është një mundësi e artë për ne, sepse është Roma e detyruar të rrezikojë.”
Tradita – Trajneri i Romës, Euzebio di Françesko në konferencën e tij për shtyp nuk ka dashur të flasë për finalen e vitit 1984 kur Liverpuli fitonte në “Olimpico” me penallti. Por ndryshe nga ai, Klop i është kthyer historisë. “Liverpuli ka një histori fantastike në këtë qytet. Paraardhësit tanë kanë fituar Ligën e Kampioneve në këtë qytet dhe ne jemi gati për të shkruar një tjetër faqe të historisë. Por më mirë ta lëmë me kaq, kjo ndeshje nuk ka nevojë për më shumë nxitje.”
Batuta me gazetarët dhe Salah – Klop është dukur në humor mjaft të mirë. Ai nuk ka lënë mënjanë dhe shakatë me një gazetar kanadez kur ai e ka pyetur për Mohamed Salah nëse do ta urdhëronte atë të kthehej në mbrojtje. “Dukesh që je kanadez” – ka thënë me shaka Klop, i cili më pas është kthyer serioz: “Salah është pjekur shumë, është rritur së tepërmi tek Roma. Duhet të falënderojmë Romën për punën ë ka bërë me të, por tani jemi me fat që e kemi në ekip. Nuk ia kam mësuar unë të shënoj, por ai vetë është përmirësuar ndjeshëm.”
Falënderim për Romën – Trajneri i Liverpulit i është kthyer në fund dhe incidenteve në Liverpul dhe ka përgëzuar e falënderuar Romën për qëndrimin e mbajtur nga ky klub në lidhje me tifozin e “The Reds”, Shon Koks, i cili ka përfunduar në gjendje kome i goditur nga huliganët e Romës. “Gjesti i |Romës në Trigoria ka qenë fantastik, siç kam vlerësuar dhe homazhin e tyre për viktimat e Hillsbrout. E përsëris, se përballë janë dy skuadra që ndodhen me meritë këtu dhe e meritojnë finalen. Kjo duhet parë thjesht si një ndeshje futbolli dhe asgjë më tepër se kaq.”