Nuk ka përmbysje gjermane, Reali kalon në finale me një “dhuratë”!

Quhet Ulrajsh dhe do të mbahet mend gjatë si emër… Sepse, nëse Real Madridi do të luajë finalen e tretë radhazi në Champions League, dhurata i ka ardhur nga ai, portieri i dytë i Bajern Mynihut, që me një gafë amatore i ka hapur rrugën golit të dytë të Benzemasë, që bëri gjithçka të vështirë për djemtë e Hajnkesit, të cilët deri në fund nuk hoqën dorë dhe besuan, por 2-2 i dënon dhe i nxjerr jashtë kompeticionit, me kokën lart.

https://www.youtube.com/watch?v=NCQI0CSu8bE

Një sfidë intensive ajo në “Bernabeu”, e nisur me golin e Kimish, ashtu si në Mynih, por që ka vijuar me një  barazim të Benzemasë, disa minuta më vonë. Në fillim të pjesës së dytë, sakaq, vjen edhe gabimi i portierit të Bajernit, që në një tentativë për të hequr topin, gabon në mënyrë të falshme duke u hutuar teksa topi i kalon poshtë këmbëve, i pasuar nga Toliso. Benzema përfiton dhe me portën e boshatisur e depoziton në rrjetë.

Bajerni nuk heq dorë dhe vazhdon të sulmojë, deri sa ish-madrileni Hames realizon dhe nuk feston në shenjë respekti. Fundi është me dridhërimë dhe duhet që Navas të bëjë mrekullinë, kur Toliso godet fluturimthi brenda zonës dhe portieri i Realit bën një pritje spektakolare, duke ruajtur kualifikimin.

https://www.youtube.com/watch?v=wyz68wRbClU

Gjermanët provojnë deri në fund, por Reali mbrohet me mish dhe shpirt, teksa ka mundësinë e golit të tretë, por arbitri Çakër, pas 6 minutash shtesë, vërshëllen fundin.

Megjithatë, sërish një penallti e mohuar ndaj Bajernit mbetet njolla e mbrëmjes, në fund të pjesës së parë, kur Marselo devijoi me dorë brenda zonës krosimin e Kimishit.

 

https://www.youtube.com/watch?v=0bIwYd5dVak

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *