“Lumë” menaxherësh në Korçë dhe sigurisht që ishin edhe për “yjet” e Skënderbeut. Pas një muaji gati largimet e para
E veçanta më e madhe në stadiumin “Skënderbeu” natën e së dielës në atë përballje ndaj Kukësit ishte sigurisht prania e shumë menaxherëve dhe drejtorëve sportivë, apo edhe skautë të ndryshëm, të gjithë për të ndjekur lojtarët në fushën e lojës. Jo më kot të dy skuadrat, Skënderbeu dhe Kukësi, janë më të mirat e kësaj Superlige dhe janë shumë lojtarë të cilët kanë spikatur për t’u shitur këtë verë. Skënderbeu, ashtu siç ka qenë edhe më parë, ekipi më aktiv si në merkaton dalje, por edhe në blerje lojtarësh, i tillë pritet të jetë edhe këtë verë.
I pari që u largua përpara kohe dhe që u bë që në janar pjesë e Skënderbeut zyrtarisht ishte Kristal Abazaj dhe pa diskutim që shifrat që pritet të përfitojë Skënderbeu qoftë edhe më vonë do të jenë të majme. Pas Abazaj, drejtuesit e Skënderbeut kanë përgatitur edhe shitje të tjera këtë verë dhe kjo tregon se vera do të jetë e nxehtë te Skënderbeu në të gjitha drejtimet. Por, cilët futbollistë mendohet të shiten këtë verë? Cilët janë më të spikaturit te Skënderbeu? Përse kishin mbërritur menaxherët e shumtë në Korçë dhe kë ishin duke vëzhguar? Të gjitha këto pyetje kanë një përgjigje për momentin, por përgjigja nuk mund të jetë vendimtare, pasi do minimum edhe një muaj që të mbyllen krejt ndeshjet e sezonit dhe më pas Skënderbeu pritet të jetë aktiv ndoshta më shumë se edhe në vitet e kaluara.
MENAXHERËT – Në tribunën qendrore të stadiumit “Skënderbeu” u ulën menaxherët e paralajmëruar një ditë para ndeshjes dhe që vinin nga Europa deri nga kontinenti afrikan. Më të shumtë ishin menaxherë dhe disa drejtues klubesh të disa skuadrave të ndryshme në Belgjikë, pa thënë se nuk mungoi as trajneri i Rapidit të Vjenës, i cili sapo ka rinovuar kontratën me klubin austriak dhe po kërkon lojtarë. Sigurisht që në fokus për kuksianët ishte mbi të gjitha Sindrit Guri, ndërkohë që për Skënderbeun numri i menaxherëve që ishin të interesuar ishte shumë i madh. Të gjithë shoqëroheshin nga Drejtori Sportiv, Haris Fakiç, menaxheri i suksesshëm shqiptar, Shkumbin Qormemeti, që bashkëpunon ngushtë me Skënderbeun, madje edhe ai mori pjesë në shitjen e Kristal Abazaj, pa thënë se ishte edhe administratori, Gerhard Takaj dhe shumë të tjerë. Po, për kë kishin ardhur gjithë këta menaxherë?
LOJTARËT – Skënderbeu ka disa lojtarë që kanë gati këtë verë të shiten nga Skënderbeu dhe interesimi më i madh mbrëmjen e së dielës ishte së pari për Sabjen Lilaj. Mesfushori korçar që vitin e kaluar u shpall edhe lojtari më i mirë i Superligës, padyshim duket se edhe këtë sezon po shkëlqen me fanellën e Skënderbeut. Është folur vit pas viti që Lilaj do të shitet, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani, kjo pasi te Skënderbeu ka bërë vërtet shumë punë. Rusia, Belgjika e klube të ndryshme në Europë kanë paraqitur interes për mesfushorin dhe tani që është prapë në superformë pritet që këtë verë Sabjeni të jetë pse jo edhe shitja e parë te Skënderbeu.
Edhe në këtë ndeshje të fundit kanë qenë 2-3 ekipe që nëpërmjet përfaqësuesve të tyre vëzhguan këtë lojtar. Një tjetër lojtar jo pak i rëndësishëm te Skënderbeu është edhe Enis Gavazaj. Kosovari me shumë gjasa këtë verë, para apo pas Champions-it akoma nuk mund të thuhet, edhe ai pritet të shitet nga Skënderbeu. Për të ofertat kanë qenë të shumta qysh verën e kaluar dhe kanë qenë të tilla edhe në merkaton dimërore. Por në këtë moment Gavazaj, që është edhe pjesë e kombëtares kuqezi është në fokusin kryesor të ekipeve të huaja dhe shumë shpejt edhe duhet të bëjë gati “valixhet” për t’u shitur nga Skënderbeu.
Përveç këtyre dy lojtarëve janë emra të tjerë te Skënderbeu, të cilët presin edhe ata për t’u shitur dhe një interesim jo të pakët ka pasur edhe për ta. Bëhet fjalë për Xhejms Adeniji, Bakari Nimaga, Gledi Mici, Fidan Aliti e ndonjë tjetër. Me pak fjalë lista e atyre që ndodheshin të diel për të vëzhguar lojtarët ishte e madhe për shumë “big”-ë të Skënderbeut dhe disa prej tyre e kanë të sigurt shitjen këtë verë. Mbetet për t’u parë vetëm se nga do t’ia nisë presidenti Ardjan Takaj dhe drejtuesit e tjerë të klubit, sepse është e sigurt që edhe këtë herë Skënderbeu do të vazhdojë të mbushë arkën e klubit, gjë që e ka bërë thuajse çdo verë. Përveç merkatos në dalje, drejtuesit po punojnë qysh tani edhe për afrimet, por të përfundojë njëherë kampionati i këtij sezoni dhe më pas do të zbulohen të gjitha një e nga një.