Nga seriali “shkruajmë ç’të duam, mjafton që të akuzojmë shqiptarët”, mediat në Serbi kanë shpikur historinë e radhës dhe sot gazeta Kurir ka dalë me një telenovelë të bukur, sikur futbollin serb e shfrytëzon mafia shqiptare, e lidhur me shërbimet sekrete të huaja.
“Mafia shqiptare drejtohet nga klani Osmani dhe kontrollon shumicën e klubeve në futbollin serb, duke pastruar para të përfituara nga shitja e drogës dhe armëve. Anëtarë të kësaj mafieje marrin pjesë duke transferuar lojtarë serbë nëpër botë, duke fituar miliona euro dhe më pas duke përdorur një pjesë të parave për të financuar ekstremistë që synojnë ndarjen e Serbisë”, zbulon Kurir, duke përdorur edhe fjalën ‘ekskluzive’, që zakonisht tenton të tronditë publikun, a thua çfarë ka ndodhur dhe çfarë është zbuluar.
Hetimi i gazetarëve trima të Kuririt zbulon që këta mafiozët e frikshëm janë të lidhur me Shërbimet Sekrete Kroate dhe Shërbimin e Inteligjencës Gjermane. Për fakt, mungojnë shërbimet sekrete të Shqipërisë, se përndryshe do bënim namin. Sipas gazetës serbe, mafia shqiptare merret edhe me prostitucion, trafik qeniesh njerëzore e ç’tju vijë tjetër në mendje, shtoni edhe ju ndonjë gjë.
Sipas serbëve, mafiozi numër 1 është Fali Ramadani, i cili në fakt është një menaxher i fuqishëm futbollistësh dhe me siguri kjo u djeg shumë serbëve, kur shohin futbollistë serbë që për interes personal lidhen me shqiptarin e njohur anembanë Europës. Nga Valon Behrami te Ferhan Hasani, nga Lindelof te Markos Alonso, nga Ljajiç te Jovetiç, të gjithë të lidhur me Ramadanin dhe me sa duket për gazetarët serbë qenka krim që një shqiptar të bëjë biznes me futbollistët serbë, duke pasuruar ata dhe veten.
Interesante është që Kurir vazhdon sulmin ndaj Ramadanit duke shkruar se “Agjencia e Ramdanit ka shumë klientë në Serbi dhe sot kontrollon 6 lojtarë të Partizanit të Beogradit, por asnjë të Crvena Zvezdës”, ndërkohë që më pas thekson se “Ramadani ndikon që kombëtarja të grumbullojë gjithë lojtarët e Partizanit”.
Një dëshmitar sekret i Kuririt thotë se milionat shfrytëzohen edhe për të ndihmuar për ndarjen e Kosovës nga Serbia, ndoshta duke harruar që Kosova është ndarë me kohë, por në Serbi u ka mbetur ora.