Kulibali jep, Kulibali heq… Simeone shuan ëndrrat e Napolit!

Mbrojtësi shkatërron ëndrrën e krijuar po nga ai. i kuq që pas 8 minutash dhe axurrët që godasin vetëm dy herë portën vjollcë. Simeone i jashtëzakonshëm, tripletë për të

Duhet të ishte një pasdite feste dhe një ndeshje për t’u luajtur me thikën në gojë, por është kthyer në një makth pas vetëm 8 minutash lojë. Pikërisht ai që përpara disa kohësh kishte thënë se titullin e fiton Juventusit, Simeone Jr, ka kthyer botën përmbys në Napoli, duke hequr buzëqeshjen dhe shuar shpresat e një qyteti që ende nuk kishte larguar tymin e fishekzjarrëve të javës së shkuar, në suksesin ndaj Juventusit në Torino.

Dhe, si për ironi të fatit, Kulibali, heroi i “Allianz Stadium”, gjiganti nga Senegali që u bë një mit në Napoli, heq atë që kishte dhënë: minuta e 7-të e ndeshjes, Simeone merr një top pas krahëve dhe i merr kohën mbrojtësit axurr, që në tentativë për t’ia hequr e pengon me këmbë. Fillimisht, arbitri akordon penallti, pasi rrëzimi vjen në brendësi të zonës, por më pas konsultohet me VAR-in dhe ndërron vendimin, duke dhënë faull përpara zonës por të kuq për mbrojtësin.

 

https://www.youtube.com/watch?v=mC6nTkyTSwI

Planet e Sarrit prishet, që heq Zhorzhinjon dhe aktivizon Tonelin. Në atë moment, nis një tjetër ndeshje dhe axurrët mbrohen, ndërsa Fiorentina shtyn për të gjetur golin, që vjen në minutën e 34 të ndeshjes. Simeone merr një tjetër top të bukur nga Kieza dhe teksa futet në zonë, ia kalon topin poshtë këmbëve të Reinës, duke realizuar. Një gol me peshë dhe festa në “Artemio Franchi”, teksa 5000 tifozët që kishin udhëtuar nga Napoli heshtin.

Vjollcët nuk kursehen dhe vazhdojnë të sulmojnë, teksa në dy raste shpëton Reina. Mbrojtja e Napolit është e çekuilibruar, teksa Hamsik dhe Albiol mbahen mend vetëm për të verdhat në pjesën e parë. Simeone i afrohet edhe golit të dytë, por është i pafat.

Në pjesën e dytë, muzika ndryshon dhe asnjë rast nuk shënohet për Napolin, që pëson golin e dytë. Simeone shënon sërish dhe këtë herë është një gol që ka vlerën e një grushti në ring, i cili hedh KO Napolin, teksa Sarri kishte hedhur në fushë edhe Milikun. Në fund, vetëm dy goditje në portë për axurrët kundrejt nëntë të Fiorentinës. Në fund, Simeone bën tripletën personale.

https://www.youtube.com/watch?v=7FzGiCS2ayI

Vërshëllima e arbitrit i jep fund agonisë së Napolit dhe tifozëve napoletanë, që tashmë e shohin veten ashtu si përpara ndeshjes në Torino, 4 pikë larg, kur duhen edhe tre javë deri në fund, por Juventusi ka vetëm një pengesë, Romën në “Olimpico” dhe, në rast humbje, sërish do të mbetej në 1 pikë përpara, shumë pranë titullit të shtatë.

Sa i përket Hysajt, ndeshje për t’u harruar dhe plot gabime për shkodranin, i lodhur ashtu si shokët e skuadrës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *