Prej kësaj vere, në kupat e Europës do të ketë ndryshime madhore, duke nisur nga shpërblimet, që do të rriten ndjeshëm, e deri te skema e kompeticioneve.
Për klubet shqiptare janë ndryshime shumë interesante dhe të rëndësishme, sepse jo vetëm që rriten arkëtimet, por klubi kampion ka përfitime madhore.
Kështu, në rast se ekipi përfaqësues i Shqipërisë në turin e parë kualifikues eliminohet, tani e tutje do të kalojë në turin e dytë kualifikues në Europa League, çka është një lajm fantastik.
Lajme të shkëlqyera ka edhe për futbollin kosovar, sepse prej këtij viti edhe skuadra kampione e Kosovës do të ketë një shans më shumë nëse eliminohet në turin e parë paraeliminator, duke kaluar në Europa League. Kujtoni që Trepça ’89 u eliminua vjet nga një ekip nga Ishujt Faroe, por këtë vit eliminimi nuk e nxjerr ekipin kampion nga kupat e Europës.
Risi në Champions është edhe turi i parë paraeliminator, sepse këtë verë do të zhvillohen ndeshje teke, me sistem gjysmëfinale dhe final. Kështu, kampioni i Kosovës do të shkojë në Gjibraltar, ku në bazë të shortit do të ndeshet me një prej kampioneve të Gjibraltarit, Andorrës e San Marinos. Shtete të vogla, futboll amator, ndaj kush fiton titullin në Kosovë ka detyrimin të kalojë turin e parë paraeliminator, me çdo kusht. Kualifikimi do të thotë 6 ndeshje të garantuara të paktën, por edhe qindra mijëra euro…