Tirana ka prishur kontratën me mbrojtësin kenian Musa Mohamed, i cili erdhi në janar nga kampionët kenianë të Gor Mahias. Rendimenti i qendërmbrojtësit ishte shumë zhgënjyes dhe prej fillimit të marsit nuk ka luajtur më, ndaj Tirana ka gjetur marrëveshjen për largimin e tij.
Në mediat në Kenia Musa ka deklaruar se ka pasur edhe probleme financiare te Tirana, çka ka bërë që klubi bardheblu të reagojë por jo thjesht me fjalë, sepse ka treguar edhe dokumentin që vërteton se mbrojtësi është paguar.
Menaxheri i përgjithshëm i Tiranës, Arbi Laçi, sqaron: “Klubi ka zgjidhur me marrëveshje kontratën me Musën. Futbollisti nuk rezultoi në lartësinë e duhur dhe për këtë motiv, në kuadër te përgatitjeve për sezonin e ri, të enjten e kaluar, në datë 19 prill, e zgjidhëm me konsensus kontratën e firmosur ne janar. Perkundër fjalëve në mediat në Kenia apo dhe këtu, dua të cilesoj se kontrata me lojtarin është prishur me dakordësi të plotë dhe pa asnjë pretendim. Musa ka marrë 23 mije dollarë për 3 muaj e gjysmë që ka qëndruar në Shqiperi. 20 mije dollarë paradhenie dhe 1 rrogë e gjysmë kundrejt afatave dhe marrëveshjes. Lojtarin e falënderojmë dhe i urojme suksese”.