Ndeshjet e Sindrit Gurit në Superiore janë të numëruara, pasi performancat e shkodranit kanë tërhequr vëmendjen e shumë klubeve që në verë do garojnë se kush do të marrë shërbimet e sulmuesit. Vetëm 24 vjeç dhe me pasaportë italiane, asnjë pengesë për të që të luajë në çdo kampionat. Dëshira e Gurit është që të transferohet në një kampionat në Europë, por në një ofertë e mirë për Kukësin dhe një kontratë “joshëse” për autorin e 15 golave në kampionat mund të ndryshojnë destinacionin e shkodranit.
Pak javë më parë u raportua se skuadra Ganguon FC ishte gati që të afronte një shifër të majme për shërbimet e sulmuesit, por asokohe Kukësi sapo kishte shitur Bakajn dhe nëse do të largohej dhe Guri do të ishin pa asnjë sulmues, pasi dhe Balde ishte larg formës së tij më të mirë. Veprim i “goditur” nga verilindorët, pasi veç ofertës nga Azia nisën që të “ngacmonin” dhe shumë skuadra të tjera nga Europa.
Nëse për Kukësin ishte një kapitull i mbyllur oferta nga Koreja e Jugut, nuk ka qenë kështu për palën e interesuar. Para ndeshjes me Laçin në ambientet e stadiumit së bashku me drejtorin Nderim Nexhipi është shfaqur një menaxher nga Koreja e Jugut dhe objektivi është sërish Sindrit Guri. Që nga oferta e parë Guri është rritur akoma dhe më shumë, çka nuk ka kaluar pa u vënë re nga koreanët, që tashmë si duket janë të gatshëm ta rrisin ofertën e tyre për shkodranin. Për gjatë gjithë ndeshjes skauti i ardhur për Gurin ka mbajtur shënime, me shkodranin që ishte në një nivel të kënaqshëm, pavarësisht se nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës. Nuk është gjithçka në dorën e Kukësit, por dhe të lojtarit, pasi siç vetë lojtarin e josh një aventurë në Europë.
I dërguari nga Koreja (fotot: FK Kukësi) ka pasur kontakt me drejtuesit e Kukësit dhe me shumë gjasa është ta arrish shifrën që u përfol herën e parë. Guri ka një klauzolë prej 1 milion eurosh dhe Kukësi pret ankandin në verë. Nëse nga Koreja do të mbërrijë oferta më e lartë, nuk është çudi që 24-vjeçari të marrë valixhet për në vendin aziatik për një eksperiencë të veçantë. Në garë për shërbimet e shkodranit ka shumë klube, pasi interes për të ka pasur që nga Austria, Zvicra, Greqia dhe Turqia.