Të kuqtë kanë nevojë për pikët. Korçarët nuk duan të prishin rekordin ndaj tyre ndaj kryeqytetasve. Duel interesant mes Dalipit dhe Dajës
Sot do të luhet një ndeshje mjaft interesante ndërmjet Partizanit dhe Skënderbeut. Sfida do të luhet prej orës 19:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të kuqtë dhe korçarët vijnë me qëllime të ndryshme në këtë sfidë, pavarësisht se atmosfera para duelit është mjaft e ndezur. Në acarimin e gjendjes kanë menduar të dy klubet me postimet e tyre në “Facebook”. Partizani dhe Skënderbeu kanë patur replika në distancë, protagonisti kryesor ka qenë “Hamzai”, megjithatë, i sigurt është fakti se sot në tapetin e sakatuar të “Selman Stërmasit” do të shohim një ndeshje shumë të fortë.
Vendasve u duhen pikët për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Momentalisht, Partizani e sheh veten në vendin e 4-ët pas ekipit të Luftëtarit. Të kuqtë ndodhen 2 pikë pas Luftëtarit, pasi kanë ngecur në kuotën e 45 pikëve, por kanë një ndeshje më pak. Fitorja e gjirokastriteve me Vllazninë ka dyfishuar presionin në kampin e trajnerit Klevis Dalipi.
Skënderbeu nga krahu tjetër nuk ka asnjë presion, pasi vjen me petkun e kampionit. Korçarët do të ndihen dyfish kampion, pasi kanë marrë titullin e shumëdiskutuar të vitit 2015-16 dhe po koleksionojnë dhe trofeun e këtij edicioni. Ata nuk kanë asnjë rival, pasi janë të shkëputur ndjeshëm nga Kukësi dhe e kanë “vrarë” kampionatin.
Korçarët do të luajnë për prestigj, pasi nuk duan të prishin rekordin pozitiv kundrejt Partizanit. Ekipi i Skënderbeut ka fituar dy ndeshje dhe ka barazuar 1 kundër të kuqve. Lojtarët dhe drejtuesit e klubit kanë një “inat” të brendshëm me njëri-tjetrin, kjo dhe për shkak të dënimit të Skënderbeut nga UEFA. “Demat” akuzojnë korçarët për trukime, ndërsa bardhekuqtë akuzojnë të kuqtë se kanë ndikuar në dënimin nga UEFA duke dërguar prova kundër tyre.
Takimi i sotëm, më shumë se sa për vetë rezultatin, ka rëndësi për prestigjin e dy ekipeve. Inatet e vjetra do të jenë të pranishme në fushë e sidomos në tribuna, zor se barazimi kënaq, sidomos në kampin e kuq. Duel i rëndësishëm dhe në pankinat respektive, pasi trajneri Klevis Dalipi do të ketë përballë trajnerin Ilir Daja. I pari një emër i ri, ndërsa i dyti një ekspert i Superiores.