Trajneri bardhezi bën autokritikë dhe tashmë e pranon që titulli mund të shkojë në Napoli, por sulmon: “Ne luajmë 57 ndeshje në vit, të tjerët dalin nga kupat që në dhjetor”
Juventusi ka marrë goditjen më të rëndë të sezonit, pas eliminimit të hidhur ndaj Realit. Të paktën në Madrid Juventusi luajti një ndeshje të madhe dhe u dënua në fund, por këtë radhë Napoli fitoi me meritë në fund dhe askush nuk ankohet dot nga kampi bardhezi. Nuk ankohet as trajneri Alegri, i cili gaboi tërësisht në strategjinë e zgjedhur për të ndalur Napolin: “Ishte një ndeshje shumë e shëmtuar nga të dyja skuadrat, praktikisht nuk pati gjuajtje në portë. Ne hasëm në vështirësi, por gjithsesi duhej dhe mund ta mbyllnim në barazim”.
GOL NË FUND – “Për fat të keq, te goditja e këndit nuk mbuluam si duhej. Ishte një finale e vogël dhe Napoli bëri atë që duhej të bënte, ndaj meriton komplimente. Megjithatë, nuk kam asgjë për t’u thënë lojtarëve të mi, askush nuk i kritikon dot. Kjo skuadër luan 57 ndeshje në vit, pak lodhje është normale. Ekipet e tjera dalin nga Europa që në dhjetor, braktisin edhe kupën. Nuk na deshi as fati, goditëm shtyllën, po të shënonim do flisnim ndryshe. Të shtunën në Milano do luajmë një ndeshje të madhe, pastaj fitojmë apo jo, do ta shohim”.
FINALJA E RADHËS – “Tani e them që ndeshja vendimtare e sezonit është të shtunën ndaj Interit. Jemi ende të parët, kemi edhe 4 ndeshje, por në Milano është vendimtare. Duhet të harrojmë sa më shpejt këtë humbje dhe të rinisim punën. Futbolli është i tillë, Napoli ushtroi presion shumë mirë dhe që ndaj Krotones i kishim dhënë disa sinjale jo të mira”.
ASNJË GJUAJTJE NË PORTË – Nuk e di a ishte Juventusi më i keq i sezonit, duke parë që përballë kishim rivalin e vetëm për titull, por diçka më shumë duhej të bënim. Gjithsesi, besoj se kampionati do jetë i hapur deri në fund”.
DIBALA – “E hoqa sepse doja më shumë mbulim në krahë. Duhet të qëndrojmë të qetë, thjesht duhet të ringrihemi”.