Një humbje e rëndë ajo ndaj Luftëtarit, por Vllaznia mundohet të ruajë qetësinë. Trajneri Ernest Gjoka ishte shumë i prerë në përgjigjet e tij në intervistat pas ndeshjes dhe mori përsipër përgjegjësitë e humbjes, çka ka bërë të aludohet edhe për ndonjë ide për dorëheqje nga drejtimi.
Megjithatë, klubi shkodran nuk ka ndërmend të ndryshojë në këtë moment kritik të sezonit, pasi është e qartë që me një trajner të ri edhe koha për të ndryshuar do të ishte e pamjaftueshme.
Administratori i klubit shkodran, Astrit Gjyrezi, duke folur për Shkodra.News, ka konfirmuar trajnerin tiranas: “Loja që ekipi paraqiti pas pësimit të golit të parë,duke mos arritur të krijojë presion ndaj kundërshtarit, është shumë zhgënjyese. Ekipi duhet të përgatitet që këto javë të mbetura të punojë shumë që të bëjë një kthesë të menjëhershme që në ndeshjen me Laçin në shtëpi.”
“Personalisht nuk kam pasur takim me teknikun Gjoka pas humbjes me Luftëtarin. Nesër do të mblidhemi dhe do të diskutojmë për analizën e ndeshjes. Gjoka ka mbështetjen e klubit, aq më tepër në këto momente të vështira. Stafi teknik si edhe ekipi kanë të gjitha mundësitë të kthehen të ndeshjet dhe rezultatet e fazës së tretë.”