Teuta zbret në fushë sot në mbrëmje në Vlorë duke e ditur se nuk është në zonën e ftohtë, edhe nëse humbet. Ky është lajmi më i mirë në prag të kësaj sfide, sepse në kampin durrsak pakkush e priste që Vllaznia të mundej dje dhe për pak sa nuk erdhi një dhuratë edhe nga Lushnja në Kamzë. Vështirësitë e rivalëve ia kanë shtuar edhe më shumë besimin te mbijetesa Teutës, që është në formë të shkëlqyer, sepse nuk humbet prej 5 ndeshjesh dhe në 9 ndeshjet e fundit është mundur vetëm në Kukës.
Edhe loja e skuadrës së drejtuar nga Begeja ka njohur rritje konstante, ndërkohë që sot synohet të përfitohet nga kriza e thellë e Flamurtarit. Faktori fushë nuk ka asnjë rëndësi sot, sepse në Vlorë të gjithë kanë marrë pikë këtë sezon dhe Teuta ka luajtur gjithnjë mjaft mirë, duke befasuar me rezultatet e mira që ka marrë. Edhe këtë sezon Teuta nuk është mundur në Vlorë, pikërisht kur vlonjatët ishin në formë shumë më të mirë.
MUNGESAT – Për ndeshjen e sotme Teuta ka disa probleme, sepse do të mungojnë disa pika kyçe në formacion, mbrojtësi Ante Hërkaç, i dëmtuar, si dhe mbrojtësi Bojan Gjorgievski dhe mesfushori Ardit Hila, të dy të pezulluar.
Gjorgievski është bërë i paprekshëm te Teuta, që kur është afruar në janar, ndërsa Hila është futbollisti me më shumë minuta në skuadrën durrsake, 27 ndeshje dhe 2310 minuta në fushë në Superiore. Natyrisht, mungesa e tyre lë një boshllëk të madh, sidomos Hila. Natyrisht, mungesë e rëndësishme ajo e Hërkaç, lider në mbrojtjen e Teutës.
Formacioni i mundshëm
Moçka – Beqaj, Shkalla, A.Bilali, Hakaj – Çyrbja Mustafov, Lajthia, Alhasan, Dediç – Amadu