Taullau: Kamza s’e meriton rënien, Lushnja merr pikë

Mesfushori i skuadrës myzeqare ka luajtur 4 vjet me kamzalinjtë dhe respekton drejtuesit e tifozët, ndërkohë që shpreson për rezultat pozitiv 

Arjan Likja

Gjatë gjithë kësaj jave ekipi verdhejeshil është stërvitur nga ndimëstrajneri Dritan Çuko dhe përgatitësi atletik Llazar Gjika. Për arsye familjare, trajneri Ilir Gjyla nuk ka qenë i pranishëm. Transferta e sotme me Kamzën është vlerësuar si një moment kthese nga lushnjarët, për të prishur serinë e humbjeve. Ka 11 javë që Lushnjë nuk merr pikë dhe ky rekord negativ duhet të ndërpritet,e dhe pse nuk ndryshon asgjë në objektivin sezonal.

TAULLAU – Në radhët e Lushnjës luajnë edhe dy ish-lojtarë të Kamzës, mesfushorët Taullau dhe Ruço. Ledio Taullau ka luajtur plot 4 sezone (2008-2012 ) si titullar me kundërshtarin e sotëm të Lushnjës. Ai e respekton Kamzën, sepse e ka ndihmuar shumë në karrierën e tij, por shpreson që Lushnja sot të mos mundet: “Me Kamzën kam luajtur në fillimet e karrierës time, që kur isha 19 vjeç. Kam luajtur 4 sezone, kur Kamza ishte në Kategorinë e Parë, pretendente për t’u ngjitur në Superiore. Patjetër që e vlerësoj, pasi kjo periudhë më ka shërbyer për t’u rritur si futbollist profesionist. Kam respekt maksimal për drejtuesit e këtij ekipi dhe nostalgji për tifozërinë. Pa dyshim që Kamza e këtij sezoni është shumë herë më e mirë sa i përket kontigjentit të futbollistëve. Për mendimin tim, nuk e meriton rënien nga Superiorja, duke e krahasuar me Vllazninë dhe Teutën. E vlerësoj mjaft të fortë përballjen me këtë ekip. Natyrisht, ndryshe nga Kamza, që ka trysninë e rezultatit, ne luajmë vetëm për nderin e fanellës. Kemi 11 humbje radhazi, ndaj do të japim maksimumin që të mos dalim duarbosh nga kjo transfertë. Mungesat e Markut dhe Mones në mbrojtje na e vështirësojnë punën, por do të mundohemi t’ia dalim për ta larguar tersin”, – ka thënë një ditë para ndeshjes në Kamzë mesfushori lushnjar, Ledio Taullau.

 

Formacioni i mundshëm i Lushnjës, 4-4-2

Bejte

Magani Premçi  Korreshi  Ruço

Branica Taullau Papa     Alushi

Pepa     Sefa

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *