Të gjithë duan Europën, se kush do ta marrë “pasaportën” një Zot e di, ose më saktë vetëm Federata Shqiptare e Futbollit, sepse për popullin e thjeshtë disa gjëra mbahen sekret. Rëndësi ka që të gjitha klubet kanë aplikuar për të luajtur në Europë, edhe Lushnja, sepse është në rregull me të gjitha, sidomos me infrastrukturën!
Sektori i Licencimit në FSHF njofton se ka përfunduar procesi i Licencimit të klubeve (paraqitja e të gjithë dokumentacionit të çdo kriteri nga ana e klubeve) aplikantë për një Licencë në kompeticionet e UEFA-s në futboll, përkatësisht në UEFA Champions League, UEFA Europa League, dhe UEFA Youth League.
Klubet Aplikante për Liçensë kanë paraqitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të pesë kriteret që kërkon UEFA për të përmbyllur këtë proçes:
1- Kriterin Sportiv
2- Kriterin e Infrastrukturës
3- Kriterin e Administratës & Personelit
4- Kriterin Ligjor
5- Kriterit Financiar
Aplikimin për Liçensë për pjesëmarrje në kompeticionet Europiane e përfunduan të dhjetë ekipet e Ligës Superiore. Pasi të vijnë konkluzionet e ekspertëve të të gjitha Kritereve, Komisioni i Licencimit të Klubeve pranë FSHF-së do të mblidhet javën e ardhshme për të dhënë, ose për të refuzuar licencat për të gjithë klubet aplikante, sipas dokumentacionit të dorëzuar në bazë të kritereve të kërkuara.
Sidoqoftë, edhe në përfundim të mbledhjes së Komisionit përkatës, FSHF shikon jashtëzakonisht shumë prioritare integritetin e garës së mbetur në vijim, dhe moscenimin e saj, dhe në një moment oportun këto vendime do të bëhen publike.