Disa gjëra ndodhin vetëm në Amerikën e Jugut! Pakkush e mban mend, por ish-sulmuesi i njohur argjentinas Martin Palermo, shënuesi më i mirë në historinë e Boka Zhuniors, humbi 3 penallti në një ndeshje kundër Kolumbisë në Copa America 1999, sfidë që u fitua 3-0 nga Kolumbia.
Kush e bën dot këtë “magji”? Duhet një argjentinas për të mundur një argjentinas, por ish-sulmuesi i Portos Lisandro Lopez tentoi mbrëmë, pa ia dalë mbanë.
Luhej sfida e Kupës Libertadores (ekuivalenti i Champions League) mes Rasing Klub e Vasko da Gamas.
Në minutën e 12-të penallti për Rasingun: Lopez nga pika e bardhë, gjuajtje e dobët qendrore, portieri uruguaian i Vaskos, Silva, largoi me këmbë.
Minutat shtesë të pjesës së parë, penallti tjetër: Lopez gjuajti bukur, por Silva grushtoi sërish. Në atë moment ndeshja kishte shkuar 2-0 për Rasingun, ndaj u kthye në një betejë personale për Lisandro Lopezin, i cili në minutën e 61-të nuk gaboi më, në penalltinë e tretë të ndeshjes, pas së cilës u kërkoi falje tifozëve.
Third time lucky!
Former Porto and Lyon striker Lisandro Lopez missed two penalties before converting a third as Racing Club downed Vasco da Gama in the Copa Libertadores. ?? pic.twitter.com/P3rlBln07p
— Goal UK (@GoalUK) April 20, 2018
Gjithsesi, kapiteni i Rasingut kishte dhënë dy asistet për dy golat e parë të ndeshjes, ndaj kontributi i tij ishte i konsiderueshëm në fitoren 4-0 të Rasingut.
Ndërkohë, Martin Palermo mori frymë i qetë, “rekordi” i tij i rrallë nuk u prek!