Igli Tare në një rrëfim të veçantë, për sportin, por jo vetëm atë. Drejtori sportiv i Lacios në Itali është një ndër shqiptarët më të famshëm në vendin fqinj dhe jo vetëm aty. Nuk kemi shembuj pa fund pozitivë të shqiptarëve nëpër botë, por me ish-futbollistin e famshëm të kombëtares kuqezi mund të krenohemi, sepse ka bërë atë që pak shqiptarë e arrijnë, duke u bërë i rëndësishëm në vend të huaj, në një klub futbolli shumë të madh dhe me presion të jashtëzakonshëm. Në emisionin “Pa filtër” të Jona Spahiut në Kanalin T në Digitalb, Tare ka folur për gjithçka, nga fillimet e karrierës dhe vuajtjet e rinisë, deri te puna te Lacio, ëndrra për t’u kthyer në atdhe dhe shqiptarët që ka marrë te Lacio.
– Si ia arrin të ruash qetësinë dhe ekuilibrin në momente të vështira në punën tënde?
– Duhet ekuilibër në punën tonë, si në rastet kur ka emocione pozitive, ashtu edhe kur ka emocione negative. Eliminimi nga Europa League nga dëmtoi shumë, ndaj është shumë e rëndësishme të mbash ekuilibrin në vazhdimësi. Mundohem të tregohem sa më i matur, në çdo rast, pa e ekzagjeruar, por nuk është e thjeshtë.
– A shan në fushë?
– Po, ndodh kur e humbas qetësinë. Ka momente kur duhet të jesh edhe impulsiv, për të ndihmuar skuadrën dhe trajnerin. Ndonjë “vaffa…” edhe e përdor.
– Kur je përballur me skepticizëm?
– Kur u bëra drejtor i Lacios, njerëzit me të drejtë kishin dyshime. Nuk kisha eksperiencë, edhe vetë kisha dyshime, ndaj është normale që të vihej në pikëpyetje aftësia ime për të bërë drejtuesin e lartë në një klub kaq të rëndësishëm. Kur u emërova drejtor i Lacios, organizova një konferencë ku njoftova largimin nga futbolli, ndërsa shpjegova se e lashë futbollin për t’u bërë drejtor i Lacios. Më ka mbetur mendja që shumë njerëz, mbi të gjitha në Shqipëri, u habitën dhe nuk e besonin që unë të lija futbollin për t’u bërë drejtues, e shihnin me shumë dyshim. Këto janë gjëra që na shoqërojnë ne shqiptarët. Edhe kur isha i ri, më shihnin si djali i Isa Tares. Më pas kisha sfidën me veten time për të vërtetuar se mund t’ia dilja.
– Emri i rëndësishëm i babait?
– Për mua nuk ishte problem, ishte krenari. Problem ishte më shumë për të tjerët. Ai ishte shumë i rëndësishëm në fillimet e karrierës sime dhe në edukimin tim. E kam kuptuar më vonë, në vazhdimësinë e karrierës, rëndësinë e disiplinës që na kishte ngulitur ai.
– A të tundon t’i bësh gjërat ndryshe, kur i sheh lojtarët në fushë, duke qenë ish-sulmues?
– Unë jam perfeksionist dhe ndonjëherë kjo është pengesë. Mundohem t’i analizoj gjërat me qetësi dhe mprehtësi, sepse duhet të dish të japësh këshillën e duhur, në vendin dhe kohën e duhur, pa qenë nevoja të flasësh pa fund.
– Nëse kthehesh pas, je penduar për ndonjë zgjedhje?
– Nuk jam penduar kurrë për zgjedhjet e mia. Për fat të keq dhe njëkohësisht për fat të mirë, jam pjesë e një brezi që nisi gjithçka nga zero, duke njohur një botë të re. Ato eksperienca më kanë ndihmuar të bëhem shumë i fortë.
– Për çfarë ke keqardhje?
– Distancimi nga familja është gjëja që më dhemb më shumë. Djali im është rritur pa më pasur gjithmonë pranë, është fatura që duhet të paguaj me këtë profesion që bëj.
– Po sikur djali yt i madh, që merret me futboll, vjen dhe të thotë që dëshiron të luajë me Romën?
– E vetmja gjë që është jashtë dëshire, do të lëndonte më shumë lacialët se mua. Është e pakonceptueshme. Lacialët kanë një grup që quhet “Irriducibili”. Unë jam pjesë e këtij klubi, jam i dashuruar me historinë e këtij klubi dhe ky klub më është futur në gjak.
– Si ka ndryshuar Lacio në vitet e fundit?
– Kanë qenë vite të vështira në aspektin financiar, ndërsa tani klubi është shumë i shëndetshëm dhe nëse shkojmë në Champions League do të ishte një arritje shumë e rëndësishme.
– Marrëdhënia me lojtarët, si është?
– Në dhomat e zhveshjes mundohem të futem shumë pak, sepse ajo është e shenjtë dhe u përket atyre. Gjithkund tjetër jam shumë i pranishëm, kemi komunikim të vazhdueshëm, për çdo detaj. Janë gjëra që i bëj me shumë vetëdije, shakatë, bisedat, shikimet më mjaftojnë për të kuptuar shumë gjëra.
– Nga futbollist në drejtues, si ka qenë kalimi?
– Si futbollist isha më impulsiv, mendoja më shumë për veten time, tani duhet të mendohem shumë, të jem i qetë dhe gjakftohtë.
– A ka momente kur mendon që nuk ia vlen puna që bën?
– Ka momente kur lodhesh, kur me zor e ruan qetësinë dhe i mban gjërat në vendin e duhur, sidomos kur në lojë janë gjëra shumë të mëdha dhe kur situata nuk është e mirë. Në momente të vështira del në pah edhe forca psikologjike e një drejtuesi. Unë jam kokëfortë dhe nuk dorëzohem lehtë, sepse kam gjak shqiptari, plus që jam lab dhe e kam gjoksin gropë, si i thonë fjalës.
– Një këshillë për Iglin 16-17 vjeç?
– Që të mos bëja atë që bëra. Arratisja në fillim të viteve ’90 ishte një çmenduri, për mënyrën si ndodhi. Kur e mendoj tani që jam prind, se çfarë kanë kaluar prindërit e mi në atë periudhë, më vjen shumë keq. Ka qenë diçka e çmendur dhe tepër e guximshme, por nga viti 1991 deri në 1995, kur u ktheva për herë të parë në Shqipëri, kuptova ndryshimin e madh në aspektin e karakterit.
– Sfida e parë me të cilën u përballe?
– E para ishte vajtja ime në Gjermani. Tre vitet e para ishin shumë të vështira, isha totalisht i vetëm, gjithçka e varur nga unë.
– Idhulli yt kur ishte i ri?
– Jam rritur duke adhuruar Milanin e Sakit, e Van Bastenit, Gulut, Rajkard dhe të tjerët.
– E ke menduar ndonjëherë të kthehesh e të punosh në Shqipëri?
– E kam thënë gjithnjë që ëndërroj të kthehem e të jap kontributin tim në futbollin shqiptar, por Shqipëria është ende shumë larg nga ajo që duhet të jetë dhe duhet kohë, nga e thëna në të bërë është një rrugë e gjatë. Do të më pëlqente shumë ta realizoja si sfidë, do të rrezikoja dhe do të braktisja gjithçka që kam ndërtuar këtu, nëse do të kisha mundësinë dhe kushtet e duhura për të punuar në Shqipëri.
– Shqiptarët që ke afruar te Lacio, si është bilanci?
– Kam afruar Strakoshën, Canën, Berishën dhe pastaj lojtarë të rinj. i kam afruar për cilësitë e tyre, edhe njerëzore, sepse e di motivimin dhe dëshirën që ka për të ecur përpara çdo shqiptar. Ato pak afrime që kam bërë, kanë treguar se e meritojnë vendin te Lacio dhe kanë rritur imazhin e shqiptarëve.
– Cili është modeli i të rinjve për t’u ndjekur?
– Me punë dhe disiplinë mund të bëhesh i rëndësishëm. Kristiano Ronaldo dhe Mesi janë modele të mëdhenj, por kanë talent të madh, por edhe shumë asete të tjera. Për të rinjtë do shihja si model Thomas Strakoshën, i cili më kujton veten kur isha i ri. Që kur ka ardhur te Lacio ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme, deri në 8 orë të ditë, duke arritur të bëhet një ndër portierët më të mirë në qarkullim.