Tirana ka siguruar ngjitjen në Superiore, pasi kaloi kampionatin e Kategorisë së Parë pa probleme. Presidenti Refik Halili nuk ka ulur shumë borderonë, pasi donte që të ringrinte ekipin e tij sa më parë në Superiore. Puna për elitën ka nisur që herët, pasi në merkaton e janarit drejtuesit bardheblu kanë nisur kontaktet me lojtarë të caktuar për sezonin e ardhshëm. Në fakt, presidenti Halili po bën dhe listën e futbollistëve që mund të afrojë në ekip. Emri i parë dhe shumë i dëshiruar nga numri një i klubit është mesfushori shkodran i Vllaznisë, Ardit Krymi. Numri 6 i kuqebluve pëlqehet shumë nga Tirana dhe vitin e ardhshëm mund të transferohet në kryeqytet.
KRYMI – Emri i Ardit Krymit nuk përmendet së pari në kampin bardheblu, pasi dhe në merkaton e janarit mes shkodranit dhe klubit të Tiranës ka patur kontakte, madje të avancuara. Drejtuesit e klubit i kanë kërkuar Krymit që të bëhej pjesë e projektit bardheblu për sezonin e ardhshshëm. 21-vjeçari nuk ka pranuar, pasi nuk dëshironte që të luante në Kategorinë e Parë, por ka lënë të hapur derën në verë. Gjithçka varet nga oferta që drejtuesit e Tiranës do t’i bëjnë Krymit. Informacionet e para pranë klubit bardheblu bëjnë me dije se për të siguruar shërbimet e mesfushori shkodran, presidenti Refik Halili është gati të bëjë dhe sforco financiare, pasi e konsideron Krymin si një mesfushor mjaft të mirë për të ardhmen e klubit. Mosha e tij e re dhe eksperienca në Superiore me Vllazninë, bëjnë që besimi te lojtari të jetë absolut dhe të mos jetë në formë basti.
PROBLEMET – Tirana ka problemin e kontratës me Vllazninë, por këtë pjesë mund ta mbyllë vetë lotari. Atij i kërkohet që të marrë vetë kartonin e tij nga klubi kuqeblu dhe të jetë i lirë për të nënshkruar me Tiranën. Krymi mund të marrë kartonin e tij dhe mund të firmosë me një rrogë shumë të mirë me bardheblutë, pa harruar dhe lekët në dorë. Bisedimet e janarit kanë folur për një pagë deri në 5 milionë lekë që mund të rritet nëse ke parasysh dhe lekët në dorë dhe bonuset. Një ndër problemet e tjera që lojtari ka shfaqur është dhe pasiguria ekonomike, por sërish klubi bardheblu ka menduar ta bindë duk i ofruar deri në 45 ë të kontratës në mënyrë paraprake. Vera do të jetë e nxehtë për klubin e Tiranës që duhet të riformatojë skuadrën për Superiore, por dhe për futbollin shkodran.
SHERRI – Tirana po sheh me vëmendje dhe portierin e ri Alen Sherri. Ndeshja e tij e fundit me Teutën ka lëkundur besimin te ai në Shkodër dhe bardheblutë synojnë të përfitojnë nga kjo situatë. Vllaznia me shumë mundësi mund të kërkojë portier të ri në verë, pasi as Selimaj e as Sherri nuk kanë bindur, por kjo situatë i shkon për shtat Tiranës. Me Likën që është në të perënduar të karrierës, afrimi i Sherrit do të ishte një goditje shumë e mirë për të ardhmen e portës bardheblu. Sherri nuk e sheh të pamundur shkëputjen nga skuadra e Vllaznisë, pasi mund të largohet me dëshirë dypalëshe. Një tjetër problem që mund të dalë në afrimin e mesfushorit Ardit Krymi dhe portierit Alen Sherri është dhe situata te Vllaznia. Në rast se skuadra shkodrane privatizohet mund të ndryshojnë shumë ekuilibra, ndërsa me Bashkinë është më e thjeshtë për t’i dhënë drejtim punëve, pasi skuadra kuqeblu është e brishtë.