Kush mund ta mendonte se pikërisht Krotone, ashtu si Spal përpara disa javësh, do të ndalonte Juventusin dhe do t’i jepte një mundësi të dytë Napolit për të shpresuar për titull? Askush përveç se axurrëve, që në “San Paolo”, atëherë kur menduan të dorëzohen, duke e parë veten dy herë në disavantazh ndaj Udinezes, që trembi jo pak djemtë e Sarrit, gjetën forcën për të reaguar, ashtu si edhe ndaj Kievos… Këtë herë, Milik nuk gaboi përpara portës si ndaj Milanit dhe shënoi një gol që i dha avantazhin axurrëve, ndërsa Toneli mbylli diskutimin me golin e katërt. Në mes, dy golat e Udinezes dhe ato të vendasve, me anë të Insinjes dhe Albiolit.
Por, nëse Napoli shpreson dhe afrohet në 4 pikë larg Juventusit, bardhezinjtë ndoshta mund të kafshojnë duart për 2 pikë që kanë lënë në një fushë të lehtë në letër. Sepse, me Krotonen duhej fitorja, sidomos pasi Higuain realizoi shumë shpejt dhe qetësoi ekipin. Por, në pjesën e dytë, një roveshatë fantastike Nuanko bëri që Alegri dhe të tijtë të çmendeshin.
Po Higuain pati rastin për të shënuar edhe golin e dytë, por nuk ia arriti dot. Në fund, një barazim 1-1 që mban gjithçka hapur, pikërisht vetëm pak ditë nga supersfida mes Juves dhe Napolit në “Stadium”.