Zhoze Murinjo deklaroi pas humbjes ndaj Uest Bromit të vendit të fundit, që i dha titullin Mançester Sitit, se e “nuhaste” një paraqitje të dobët nga Mançester Junajtid dhe se kishte pikëpyetje rreth qëndrimit të lojtarëve të tij.
“Junajtid është mjeshtër për futboll të ndërlikuar”, deklaron trajneri portugez, i cili është i bindur se fitorja ndaj Mançester Sitit javën e shkuar i ka dehur lojtarët e tij, që nuk e kanë marrë seriozisht ndeshjen pasardhëse.
Gjithsesi, Murinjo mbron punën e tij: “Nuk kam arsye të mos i besoj punës sime, kam fituar 8 tituj, 3 kampionate në Premier Ligë, i fundit jo para 20 vitesh. Ishte para 3 vitesh dhe unë e di si fitohen titujt. Kam besim te vetja, por nuk luaj unë”.
Siti doli kampion 5 ndeshje para fundit: “Nuk e di a isha i pari, apo i dyti, por i përgëzova ata kur i pata përballë. Po të isha në vend të tyre, do zemërohesha shumë nëse do thoshin që Siti doli kampion se humbi Junajtid. Ata fituan sepse janë skuadra më e mirë dhe kanë bërë shumë pak gabime. Ne fituam në derbi, por ishin vetëm 3 pikë, nuk isha tej mase i lumtur, ndryshe nga shumë të tjerë te Junajtid”.