Partizani tenton “pushtimin” e Kukësit, Progni-Asani janë “çelësi”

Trajneri punoi vetëm në aspektin taktik ditën e djeshme. Çani dhe Gojkoviç janë dy pikat e referimit. Detyra të veçanta për Trashin dhe Lukasin

Partizani do të luajë kundër Kukësit prej orës 16:00, në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Kjo transfertë është mjaft e rëndësishme për fatet e trajnerit Klevis Dalipi dhe “demave” të kuq. Në rast fitoreje, lufta për Champions League është e hapur, ndërsa Evropë afrohet më shumë. Në rast një disfate ndodh krejtësisht e kundërta.

STËRVITJA – Partizani i dha fund përgatitjeve për ndeshjen kundër Kukësit. Trajneri Klevis Dalipi stërviti ditën e djeshme skuadrën në kompleksin sportiv të Kamzës. Skuadra e kuqe kreu stërvitjen e fundit në orën 11:00. Dalipi kishte në dispozicion të gjithë futbollistët. Ai pa gjendjen e secilit prej tyre dhe vendosi për formacionin titullar. Seanca e fundit stërvitore ishte krejtësisht në aspektin taktik. Elbasanasi punoi me skema të ndryshme. Dalipi e di se ndeshja në stadiumin “Zeqir Ymeri” ka një specifikë tjetër. Përmasat e fushës janë më të vogla dhe teknikët duhet të rreshtojnë me shumë kujdes skuadrat e tyre.

TAKTIKA – Dalipi punoi shumë me goditjet standarde. Numri një i stolit i ka dhënë prioritet krahut të djathtë, pasi synon të depërtojë në mbrojtjen e Kukësit. Asani si mesfushor i avancuar krahu së bashku me Prognin që do ta ndjekë nga mbrapa janë dy pistonët kryesorë të “demave”. Trashi nga krahu tjetër do të ketë si qëllim të futet brenda zonës duke patur dhe ndihmën e Lukasit. Të kuqtë duan të shfrytëzojnë problemet që kanë verilindorët në mbrojtje. Rëndësi të lartë, tekniku 42-vjeçar i ka kushtuar dhe krosimeve. Ai iu kërkoi qartë futbollistëve të tij të mundohen të gjejnë Çanin me kokë. Shtatlartësia e tij është një armë plus për të kuqtë.

GODITJET STANDARDE – Partizani ka punuar dhe me goditjet standarde. Ata i besojnë Trashit për krosimet. Mesfushori do të mundohet të krosojë drejt shtyllës së dytë, aty ku mbrojtësi Gojkoviç do të jetë alternativa e parë, duke qenë se Çani do të jetë rreptësisht i ndaluar. Detyra të veçanta ka marrë dhe Asani. 22-vjeçari ka për “detyrë” të tentojë portën nga distanca, duke qenë se gjuan mirë dhe rrezikshëm. Lukasi nga krahu tjetër do të mundohet të çajë drejt portës së Kukësit, për t’i dhënë më shumë befasi skuadrës së kuqe.

FORMACIONI – Dalipi do të ndryshojë formacionin, pasi është i detyruar ta bëjë. Mungesa e mbrojtësit Labinot Ibrahimi ka bërë që tekniku të kthejë si mbrojtës të djathtë Gerhard Prognin. Ky i fundit do të pozicionohet aty, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nuk ndryshon. Mesfusha është e njëjtë, ndërsa në sulm do të rikthehet Trashi. Çani dhe Lukasi konfirmohen si titullarë, padiskutim dhe Asani. Bardhi e nis nga stoli.

Formacioni i mundshëm i Partizanit
Hoxha – Progni, Gojkoviç, Belica, Kotobelli – Batha Mala – Asani, Lukas, Trashi – Çani

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *